Inspekcioni rrënon nëntë objekte ilegale

Drejtoria e Inspekcionit në Mitrovicë ka zhvilluar të enjten një aksion për lirimin e hapësirave publike, në të cilat është paraparë realizimi i projekteve të ndryshme komunale.

Lajme

13/08/2015 16:30

Me këtë rast në dy lokacione të ndara janë rrënuar gjithsejtë nëntë objekte të vendosura në mënyrë ilegale, prej të cilave tetë garazhe në rrugën “Tjegullorja” në lagjen Bair, në hapësirën publike ku është vendosur që të ndërtohet shkolla model, si dhe në fshatin Koshtovë është rrënuar një objekt i ndërtuar ilegalisht në pronën komunale, duke penguar kështu rregullimin e rrugës në këtë lokacion.

Zëdhënësi i Komunës në Mitrovicë, Hysni Syla, ka bërë të ditur se aksioni i inspektorëve është zhvilluar pa ndonjë problem të theksuar.

“Përveç disa mospajtimeve të shprehura në mënyrë verbale nga ana e shfrytëzuesve të këtyre objekteve, nuk ka pasur rezistencë të theksuar”, ka thënë Syla.