‘Inmarsat’ shpreson ta gjejë aeroplanin e zhdukur malajzian

Kompania britanike për satelitë, Inmarsat, sugjeron që kërkimi për aeroplanin e zhdukur malajzian duhet bërë në një zonë tjetër, aty ku shkencëtaret mendojnë se është vendi me mundësitë më të mëdha ku aeroplani mund të jetë përplasur. 

Bota

17/06/2014 16:06

Kërkimi për avionin e humbur prej muajsh është ndërprerë përkohësisht, përveç disa anijeve që patrullojnë një zonë prej disa kilometrash, në rast se del diçka në sipërfaqen e Oqeanit Indian.

Por kompania Inmarsat ka të dhënat më të mira për vendndodhjen e mundshme të aeroplanit, të njohur si “Fluturimi MH370”.

Kur kërkimet të rinisin, atëherë “pikat e nxehta” të kësaj kompanie do të jenë në fokus të kërkuesve.

Por, numri i madh i vendeve të dyshuara se ku ka mundur të jetë përplasur avioni, kërkon një hetim të madh dhe shumë grupe të mëdha kërkuesish.

Autoritetet australiane pritet që të tregojnë se në cilat zona duhet që ekipet e kërkimit të zgjerohen.

Programi i BBC-së, Horzion TV, është duke dhënë rëndësi të veçantë qasjes që kanë ekspertët e telekomunikacionit të kompanisë Inmarsat.

Ishin lidhjet e shkurtra, komunikimi në mes të orëve elektronike të avionit dhe anijeve kozmike të kësaj kompanie, që janë duke ndërtuar skenarin se ku duhet të kërkohet për avionin e zhdukur.

Shkencëtarët e Inmarsat thonë se frekuencat dhe sinjalet e kapura, tregojnë se avioni është përplasur diku në pjesën jugore të Oqeanit Indian. Atje u dërgua një anije australiane për të kontrolluar zonën.

Por, siç njofton Horizon TV, anija australiane, Ocean Shield asnjëherë nuk arriti që të gjente vendin që Inmarsat e kishte piketuar si vendin potencial të përplasjes së avionit, pasi që kjo anije kapi vetëm sinjale zanore në një distancë të largët, që dyshohet se vinin nga regjistruesi i fluturimit të avionit të zhdukur.

Prioritet ishte që të hetoheshin këto pozicione, por dy muajt pasues u kaluan duke kërkuar në një sipërfaqe prej 850 kilometra katrorë të shtratit të detit dhe në fund doli se aty nuk kishte asgjë.

“Ai vend në asnjë mënyrë nuk ishte një vend joreal, porse ai vend ishte më në verilindje se sa zona që ne e kishim piketuar si me probabilitetin më të lartë të vendndodhjes së avionit”, thotë Chris Ashton nga kompania Inmarsat.

Ekspertët e kompanisë kanë përdorur të dhënat e tyre për të kompletuar një seri të harqeve në të gjithë Oqeanin Indian ku sistemet janë bërë në mënyrë që të gjejnë vendndodhjen e avionit të zhdukur.

Duke bërë modelimin e një fluturimi me një shpejtësi konstante e të qëndrueshme me të aeroplanit – ekipi gjeti një rrugë se nga ka mundur të ndodhë fluturimi, të dhëna këto që janë shënuar dhe tani mund të përdoren si pista të mundshme të kërkimeve.

“Ne mund të identifikojmë një rrugë e cila përputhet saktësisht me të gjitha ato matje të frekuencave dhe me matje kohore të tokave dhe të harkut të fundit në një vend të veçantë, e cila më pas na jep një pikë apo një zonë ‘të nxehtë’  të vendit të mundshëm se ku mund të jetë rrëzuar aeroplani”, tha Ashton.

Autoritetet australiane kanë bërë thirrje për nevojën e shtrirjes sa më të gjerë të kërkimeve, mundësisht në një zonë prej 60 mijë kilometrash katrorë.

Kjo gjë ka të ngjarë që të marrë disa muaj, pasi paraprakisht shkencëtarët duhet të merren me formën e shtratit të detit dhe lartësinë e ujit, dhe pastaj të fillojnë kërkimet për aeroplanin e humbur.

Fluturimi MH370, me 239 pasagjerë në bord, humbi nga radarët më 8 mars, teksa po kthehej nga Kuala Lumpur për në Pekin.