Iniesta: Shiriti i kapitenit, ëndërr imja

Andres Iniesta thotë se shiriti i kapitenit ka qenë gjithmonë ëndërr për të. Pas pensionimit të Puyolit dhe largimit të Valdesit, mesfushori spanjoll do ta ketë rastin ta ketë në dorë më shpesh shiritin e kapitenit.

Sport

23/07/2014 21:10

Andres Iniesta thotë se të emërohet kapiten i ri i Barcelonës, do të ishte një ëndërr për të. Ekipi katalunas mbeti pa kapitenin Carles Puyol, i cili u pensionua, ndërsa portieri Victor Valdes u largua nga klubi.

E Xavi Hernandez, i cili vendosi të qëndrojë në Camp Nou, mund të qëndrojë në bankinë në pjesën më të mirë të ndeshjeve, kështu që 30 vjeçari Iniesta tash e ka mundësinë ta marrë shiritin e kapitenit më shpesh.

“Të jem kapiten i ekipit të parë ka qenë gjithmonë ëndërr e imja. Kjo do të thotë se je ende në ekipin e parë dhe se po përmirësohesh”, deklaroi përfaqësuesi spanjoll për ‘Mundo Deportivo’.

“E ke respektin e të gjithëve, por e keqja është se është një shenjë që po bëhesh më i vjetër. Pra, e ka anën pozitive dhe negative”, vazhdoi Iniesta.

Ai ndihet i lumtur që e kishte mundësinë të luante me lojtarë të kalibrit të Xavit, Puyolit dhe Valdesit, me të cilët e shijoi eksperiencën në fushë, por edhe jashtë saj, pasi i ka miq të mirë që të tre.