Informacione për vrasjen e Djindjicit edhe jashtë Serbisë

Jelko Kacin thotë se ka informacione jashtë Serbisë që kanë të bëjnë me vrasjen e ish-Kryeministrit të Serbisë, Zoran Djindjic. Ai kërkon nga organet e drejtësisë në Serbi që të kontribuojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Lajme

17/02/2014 19:14

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Jelko Kacin, thotë se informacionet për prapaskenat e atentatit të Zoran Djindjic’it janë të shpërndara edhe në shtetet fqinje të Serbisë.

Ai në një prononcimin për të përditshmen serbe “Dnevnik” thotë se është i domosdoshëm bashkëpunimi me Serbinë për hetimet e vrasjes së ish-Kryeministrit të vrarë të Serbisë.

“Nëse Serbia dëshiron përparim të shpejtë, duhet që të merret me këtë çështje. Si shteti ashtu edhe qytetarët duhet të distancohen nga ajo që është bërë në emër të tyre”.

Kacin ka deklaruar se është i njoftuar se ekzistojnë dokumente të mjaftueshme “jashtë Serbisë”, që kanë lidhje me prapaskenat e atentatit të Djingjicit. Sipas tij, kjo do të mund të kontribuonte në rast se fillon një hetim i ri.

“Në mënyrë që të mbizotërojë sundimi i ligjit, duhet që të pastrohen të gjitha çështjet e hapura të lidhura me shërbimet sekrete dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar në strukturat politike. Të gjitha këto elemente kanë të bëjnë me atentatin e Djindjic’it”.