Indonezia jep 1.8 mln dollarë që Satinah t’i shpëtojë vdekjes

Ish-shërbëtorja e një familjeje saudite, Satinah, kishte goditur me grusht padronen e saj për ta lënë në gjendje kome, e cila mëpastaj vdiq. Por, Indonezia duhet të paguajë 1.8 milionë dollarë që shtetasja e saj e dënuar në Arabi Saudite me vrasje, të shpëtojë

Bota

03/04/2014 21:34

Gruaja e njohur me emrin Satinah ishte e punësuar si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje saudite. Në vitin 2007, ajo goditi me grusht padronen e saj, e cila ra në gjendje kome dhe vdiq më vonë në spital.

Pas aktit, indoneziania u përpoq të largohej nga Arabia Saudite së bashku me një shumë parash të kursyera gjatë viteve të punës së saj në vendin arab, por u kap dhe doli para drejtësisë vendase. Ku pranoi se e kishte goditur padronen e saj, por se këtë e kishte bërë pas muajsh të tërë dhune sistematike të pësuar, madje edhe duke i përplasur kokën pas murit.

Pavarësisht kësaj, në fund të procesit gjyqësor gjykata e dënoi me vdekje. Vendimi i dënimit me vdekje do të ekzekutohej brenda datës pesë prill nëse familja e autores nuk siguronte dot 1.8 mln dollarët që gjykata kishte vendosur si dëmshpërblim për familjen e viktimës, raporton Top-Channel.

Familjarët e Satinah u vunë në lëvizje duke organizuar fushata ndërgjegjësuese në vendin e tyre për të mbledhur këto paratë. Shuma e parave të mbledhura ishte e konsiderueshme, por sërish jo e mjaftueshme për t’i shpëtuar jetën Satinha-së. Në momentin e fundit ndërhynë autoritetet vendase të cilat plotësuan shumën.

Vendimi i qeverisë për të ndihmuar shtetasen e saj nga shumë është përkrahur, por të shumta janë ata që e kundërshtojnë duke thënë se paratë publike nuk duhet të përdoren për të shpëtuar një person të dënuar me vdekje nën akuzën e vrasjes.