Indeksi i ASK-së: Rriten çmimet e prodhimit dhe ato të importit

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) dhe Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP) për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2024.   Të dyja këto indekse kanë treguar se ka rritje të çmimeve krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2023 si dhe ato të tremujorit të…

Lajme

27/02/2025 16:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) dhe Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP) për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2024.

 

Të dyja këto indekse kanë treguar se ka rritje të çmimeve krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2023 si dhe ato të tremujorit të tretë (TM3) të vitit 2024.

“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 0,1% ndërmjet TM4 2024 dhe TM3 2024. Kurse, krahasuar TM4 2024 me TM4 2023, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 8,5%. Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë u ngrit për 0,1% në TM4 2024, krahasuar me TM3 2024. Krahasuar me TM4 2023 çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 0,5%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike sipas ASK-së vërehen te prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove (12,8%); prodhimi i mobilieve (8,4%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (3,2%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); prodhimi i pijeve (0,3%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (0,1%); dhe prodhimi i produkteve kimike (0,1%).

Ndërkaq, sipas indeksit të ASK-së ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: xeheroret dhe guroret e tjera (-5,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (-3,9%); nxjerrja e xehes së metalit (-3,2%); prodhimi i metaleve (-2,4%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (-1,3%); dhe prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (-0,1%).

Rritja vjetore e çmimeve të prodhimit sipas këtij raporti të ASK-së ka qenë 8.5%.

“Çmimet e Prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 8,5% në mes të TM4 2024 dhe TM4 2023. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (20,6%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (11,0%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (10,5%); prodhimi i mobilieve (10,3%); prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës (8,8%); përpunimi i produkteve ushqimore (6,9%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (6,8%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (5,5%); prodhimi i produkteve kimike (4,4%); prodhimi i metaleve (3,8%); prodhimi i pijeve (3,6%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (1,6%); nxjerrja e xehes së metalit (1,2%); dhe prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (1,0%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ngritja thuhet se u neutralizua nga ulja e çmimeve te: prodhimi i pajisjeve elektrike (-8,9%); xeheroret dhe guroret e tjera (-1,0%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (-0,9%); dhe prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove (-0,8%).

 

Rritje kanë shënuar edhe çmimet e importit, e ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: lëkura dhe artikujt e saj (2,8%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (1,9%); produktet bimore (1,5%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (1,4%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (1,1%); druri dhe artikujt e tij (1,0%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinal, muzikorë dhe mekanizmat e orës (0,4%); mjetet e transportit (0,3%); letrat dhe artikujt e saj (0,3%); këpucët (0,3%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (0,2%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (0,2%); dhe produktet minerale (0,1%).

Ngritja thuhet se u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorit te: vajrat ushqyese (-3,2%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-2,6%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1,6%); dhe artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (-0,7%).

Ndërkohë rritja krahasuar me TM4 2023 ka qenë 0,5%.

“Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (7,7%); vajrat ushqyese (6,6%); mjetet e transportit (3,7%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (2,4%), etj”, thuhet në njoftim.

Ngritja thuhet se u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt e saj (-13,9%); produktet minerale (-3,9%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-1,5%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1,3%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-0,7%) etj.