Incidentet nuk do të përsëriten

Oliver Ivanovic thotë se s’do të ketë incidente në Veriun e Mitrovicës këtë 17 nëntor, kur do të rivotohet në tri vendvotimet e shkatërruara nga ekstremistët. Ai pret dalje më të madhe në votime, si dhe siguri në nivel shumë më të lartë.

Lajme

13/11/2013 17:30

Kandidati për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanovic, thotë se incidentet e 3 nëntorit nuk do të përsëriten këtë të diel, kur do të rivotohet në tri vendvotimet e shkatërruara nga ekstremistët serb.

Në një intervistë për lajmi.net, Ivanovic thotë se ka besim në sigurinë që do ofrohet nga mekanizmat e sigurisë si KFOR`i, EULEX`i dhe Policia e Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk do të lejojnë të përsëriten gabimet e 3 nëntorit.

“Së pari mendoj se kurrë s’do të përsëritet 3 nëntori, sepse përmirësimet do të ndodhin”.

“Më duket që KFOR`i dhe EULEX`i e kanë mësuar këtë leksion dhe ato gabime të cilat i kanë bërë s’do t`i përsërisin më”.

“Unë jam i sigurt që niveli i sigurisë do të jetë shumë i lartë. Edhe dëshira e njerëzve që të marrin pjesë në zgjedhje është më e madhe se më 3 nëntor”.

Thirrjet për bojkot nga disa grupe ekstremiste në Veri, Ivanovic i sheh si të pasukseshme marrë parasysh disponimin e serbëve për të votuar në këto zgjedhje.

“Bojkoti është një ide që nuk do të ketë më shansë, sepse serbët kanë dalë në votime në pjesën e jugut me 54 deri në 62 për qind”, ka thënë ai për lajmi.net.

“Në pjesën e Veriut gjithashtu kanë dalë një numër bukur i madh, sidomos në Leposavic dhe Zubin Potok, por prapëseprapë Zveçani dhe Mitrovica, të cilat janë shumë afër, kanë problemet të njëjta dhe në këto dy vende nuk ka pasur një dalje të kënaqshme”.

Procesi i votimit në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte vijuar sipas dinamikës së rregullt në gjithë territorin e Kosovës, deri në orën 17:00 të mbrëmjes. Në këtë kohë, persona të maskuar kanë hyrë  dhunshëm në shkollën “Sveti Sava” dhe në dy vendvotime tjera në Veri të Mitrovicës, dhe kanë shkatërruar komplet materialin zgjedhor.

Në këto tri vendvotime, KQZ ka marrë vendim që zgjedhjet të përsëriten këtë të diel.

Dalja në numër të vogël e serbëve në pjesën Veriore ka alarmuar Qeverinë e Serbisë, e cila nga frika e zgjedhjes së kandidatit shqiptar për kryetar të kësaj komune, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të serbëve në votime.

Për politikanin nga Veriu, që dikur kishte shërbyer në institucionet e Kosovës, e më vonë në ato të Serbisë, zgjedhja e një kryetari shqiptar për Komunën Veriore të Mitrovicës nuk do të ishte e pranueshme për serbët.

“Në rivotim sipas mendimit tim do të dalin shumë më shumë njerëz, edhe një arsye shtesë është çështja e kandidaturës së Agim Devës, Kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës”.

“Është njeri të cilin ne e respektojmë. Por, nuk është diçka që është e pranueshme në këtë moment të ndjeshëm, pra që një shqiptar të bëhet kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila është krijuar për një arsye – që serbët të kanë njëfarë vullneti që të marrin pjesë në proceset demokratike”.

Ivanovic foli edhe për vizitën e paralajmëruar të Dacicit në Kosovë, për këtë të premte. Ai tha se pret që Kryeministri Dacic të jetë neutral në adresimin e tij.

“Kryeministri i Qeverisë së Serbisë ka të drejtë të vijë në Kosovë, sepse ne e konsiderojmë Kosovën pjesë të Serbisë dhe ardhja e tij duhet të jetë në favor të participimit dhe të daljes në zgjedhje por jo të favorizohet një listë e veçantë”.

“Nëse vepron neutral do të ketë përkrahje edhe të popullatës, por gjithashtu edhe përkrahjen time personale”.

“Jam i  bindur që deklaratat e Kryeministrit serb do të jenë neutrale dhe se ai do të kërkojë daljen në votime dhe zgjedhjen e atij që serbët besojnë se është njeriu që ata duan për Kryetar të Mitrovicës Veriore”, thotë Oliver Ivanovic për lajmi.net.