Incident ajror i marinës amerikane mbi Paqësor

Ushtria amerikane njoftoi të enjten se një marins është vrarë dhe pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e përplasjes në ajër të dy avionëve të Korpusit të Marinës amerikane dhe rrëzimit të tyre në oqeanin Paqësor.

Bota

06/12/2018 19:27

Aksidenti ndodhi të enjten rreth 320 kilometra larg bregut jugperëndimor të Japonisë.

Marinsi i vdekur ishte një nga dy pjesëtarët e ekuipazhit të avionit F/A 18, të cilët u gjetën disa orë pas përplasjes. Përpjekjet për gjetjen e pesë marinsave të humbur vazhdojnë ndërsa kanë nisur hetimet rreth shkaqeve që sollën përplasjen.

Marina amerikane njoftoi se avioni luftarak i tipit F/A-18 me dy pilotë në bord dhe një avion i mbushur me karburant, KC-130, me një ekuipazh prej pesë vetësh, u nisën nga baza e tyre në Iwakuni për një mision të zakonshëm, stërvitje për furnizim me karburant në ajër. Sipas një deklarate të ministrisë japoneze të Mbrojtjes përplasja ndodhi pranë kepit Muroto në ishullin Shikoku.

Përplasja e së enjtes është më e fundit e një vargu aksidentesh që kanë përfshirë avionë ushtarakë amerikanë të dislokuar në Japoni.