Inaugurimet në Veri në qorrsokak
Seanca inauguruese në Leposaviq ka qenë dashur të mbahet sot në orën 8, por nuk është mbajtur. Në Mitrovicën e Veriut, edhe Oliver Ivanovic paralajmëron bojkot të seancës. Ndërsa në Bruksel, pritet të bisedohet edhe gjatë ditës së sotme për këtë çështje.

Lajme
Në katër komunat e veriut të Kosovës sot është dashur të mbahen seancat konstituive të asambleve komunale.
Por mbajtja e këtyre seancave është e pasigurt sepse këshilltarët shqiptarë të zgjedhur nëpër asamble kanë paralajmëruar bojkot, ndërsa së fundi të njëjtën e kanë paralajmëruar edhe këshilltarët e subjektit politik SDP të Oliver Ivanovicit.
Ivanovic ka thënë se ka një joseriozitet në organizimin e këtyre seancave dhe për këtë i ka akuzuar përfaqësuesit e “Listës Serbe”, kandidatët e së cilës kanë fituar kontrollin në Mitrovicë të veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Seanca e asamblesë komunale të Leposaviqit ka qenë e paralajmëruar të mbahet sot në orën 8 të mëngjesit, por ajo nuk ëhstë mbajtur, ndërsa thuhet se ajo do të mbahet pasdite.
Kryetari i zgjedhur i Komunës së leposaviqit, Dragan Jablanovic u ka thënë gazetarëve se seanca do të mbahet në orën 15 dhe si arsye për këtë shtyrje përmendi dëshirën e Ministrit serb pa Portofol, Aleksandar Vulin për të qenë i pranishëm në seancë.
Bisedimet e djeshme në Bruksel rreth çështjes se mënyrës së mbajtjes së seancave inauguruese në komunat e veriut të Kosovës nuk kanë prodhuar një rezultat, ndërsa bisedimet pritet të vazhdojnë edhe sot.