Imri Ahmeti i përzë nga mbledhja monitoruesit e Komunës

Kryetari i Lipjanit nuk është duke i mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, por as nuk është duke përmbushur betimin si kryetar komune, vlerësojnë përfaqësues të organizatës joqeveritare YAHR, të cilët të cilët monitorojnë këtë Komunë.

Lajme

07/04/2014 18:10

Organizata Joqeveritare YAHR nëpërmes një komunikate shpreh shqetësimin lidhur me vazhdimin e veprimeve gjithnjë e më shumë të izolimit të ekzekutivit të Komunës së Lipjanit sa i përket transparencës dhe llogaridhënies ndaj shoqërisë civile.

Raportet e drejtorive komunale, sipas kësaj organizate, deri në fund të vitit 2013 kanë qenë transparente, ndërsa tash ajo është ndërprerë. Sipas tyre, kryetari po ashtu ia ka ndaluar stafit të Komunës edhe komunikimin dhe dhënien e informacioneve për media, pa pëlqimin paraprak nga ana e tij, raporton KosovaPress.

“Sot, në fund të takimit të Këshillit të Drejtorëve, kryetari i Komunës merr veprim për largimin e përfaqësuesve të organizatave të ndryshme monitoruese, të cilët nuk janë staf i Komunës së Lipjanit (në takimi ishin OJQ YAHR dhe përfaqësuesit e OSBE-së) dhe atë pa kurrfarë arsyetimi”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Sipas YAHR, veprimet e kryetarit Ahmeti janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, siç janë: Ligji për vetëqeverisje lokale, Ligji për transparencë të komunave, ligji për qasje në dokumentet publike, me statutin e Komunës së Lipjanit, rregulloret e ndryshme si produkte të ligjeve të lartpërmendura dhe me vetë rregulloren për transparencë të Kuvendit të Komunës së Lipjanit.

Por, kjo organizatë thotë se nuk do të ndalet me monitorim të institucioneve lokale me qëllim të bërjes së aktiviteteve të këtyre institucioneve transparente dhe në dobi të qytetareve të komunës së Lipjanit dhe që njëherësh është edhe misioni i organizatës.