Importi i naftës në rritje: Mbi 47 milionë euro më shumë se në vitin 2024

Importi i derivateve të naftës në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë periudhës janar–shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas statistikave zyrtare. Të dhënat tregojnë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, importi i naftës ka arritur vlerën prej 640,477,953 euro, duke shënuar një rritje prej 7.4 për…

Lajme

02/01/2026 18:29

Importi i derivateve të naftës në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë periudhës janar–shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas statistikave zyrtare.

Të dhënat tregojnë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, importi i naftës ka arritur vlerën prej 640,477,953 euro, duke shënuar një rritje prej 7.4 për qind krahasuar me vitin paraprak, raporton lajmi.net.

Ndërkohë, në periudhën janar–shtator 2024, importi i naftës kishte vlerën 593,360,922 euro.

Rritje është shënuar edhe te benzina, e cila gjatë vitit 2025 është importuar në vlerë prej 72,838,950 euro, që paraqet një rritje prej 5.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur importi i saj kishte arritur në 69,054,041 euro.

Krahasimi 2025 – 2024 (janar–shtator)

Nafta:

2024: 593,360,922 €

2025: 640,477,953 €

Rritje: +47.1 milionë € (+7.4%)

Benzina 95:

2024: 69,054,041 €

2025: 72,838,950 €

Rritje: +3.8 milionë € (+5.2%)

Sipas kryetarit te shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, rritja e importit të derivateve lidhet me disa faktorë, përfshirë rritjen e konsumit, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të transportit në vend.

Po ashtu, ndikim kanë pasur edhe zhvillimet në sektorin e energjisë, ku bizneset dhe qytetarët janë detyruar të mbështeten më shumë në derivatet e naftës për shkak të pasigurisë në furnizimin me energji elektrike.

Importi i naftës dhe benzinës mbetet një ndër zërat më të rëndësishëm në bilancin tregtar të Kosovës, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë si në ekonominë e vendit, ashtu edhe në çmimet e transportit dhe kostot operative të bizneseve.

Institucionet përgjegjëse kanë theksuar se statistikat janë zyrtare dhe reflektojnë trendin rritës të kërkesës për derivate të naftës në Kosovë gjatë vitit 2025.

E qytetarët e vendit shpesh herë u përballën me ngritje ekstreme të çmimeve të derivateve. Kësisoj shfaqja e pakënaqësisë ndaj kësaj situate të krijuar vazhdon të jetë edhe tani, pasi çmimet e larta u shkaktojnë probleme të njëpasnjëshme të gjithëve./Lajmi.net/