Imami i Pejës fton shqiptarët myslimanë të qëndrojnë larg ideve të vehabistëve

Largimi i kosovarëve nga vendi për të shkuar në luftën e Sirisë, vlerësohet se ka ardhur si rezultat i interpretimit të fesë nga persona të cilët kanë ligjëruar jashtë rregullave dhe parimeve islame.

Lajme

03/09/2014 11:05

Gjë e cila, kontribuon negativisht me qëllim që feja Islame të del jashtë binarëve të saj real siç është dashuria mes njerëzve, toleranca, bashkëjetesa, gjëra të cilat i kanë pasur gjithmonë shqiptarët.

Heroi Skënderbeu, humanistja Nënë Tereza …, e kanë dhënë kontributin e tyre për vendin pa marrë parasysh bindjeve të tyre fetare.

Kështu vlerëson për KosovaPress, teologu dhe imami i Pejës, Zuhdi Hajzeri, duke treguar se 90 për qind të ideve nga këto grupacione që kryesisht janë Vehabist (sulmimi ndaj gjithë atyre që nuk mendojnë si ata), nuk janë në përputhje me Islamin.

Andaj, Hajzeri fton të gjithë personat të cilët janë të ndikuar nga kjo thirrje që të rrinë larg këtyre ideve të cilat edhe vendet arabe i kanë sjellë në gjendjen çfarë edhe janë sot – lufta mysliman me mysliman.

“Unë mendoj se ka edhe prej atyre që e bëjnë një interpretim që nuk është në përshtatje me vendin tonë. Nuk është në përshtatje edhe as me rregulloret islame, parimet islame, dhe besoj se ka edhe prej atyre që po kontribuojnë negativisht për me e qit islamin jashtë binarëve të tij. Ka shumë grupacione që janë bërë kohën e fundit, duke e përmend anën gjenerale shumica e tyre janë Vehabi dhe pastaj ndahen në grupe të tjera Tekfirca, dhe grupe tjera të shumta por që prej atyre më të rrezikshmet janë Vehabistat që nuk e pranojnë asnjë prej shkollave juridike të islamit. Por, më të rrezikshmet dhe qëndrimet e tyre më ekstreme janë pjesët grupit Tekfirca. Ata janë me qëndrime më ekstreme për gabimin më të vogël të myslimanit nuk e llogarisin mysliman fare”, ka thënë Hajzeri.

Këto grupe sipas Imamit, janë të rrezikshme pasi që shumë lehtë nxitin djemtë e rinj të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për fenë e tyre, dhe nuk e dinë se këto veprime nuk janë në përputhje me islamin. Hajzeri, ka treguar se ka pasur biseda edhe me personat që kanë shkuar në luftë në Siri dhe se ka vërejtur se ata perona kanë mendime të njëjta me të Vehabizmit.

“Myslimani i devotshëm dhe asnjë mysliman në përgjithësi nuk është mirë dhe nuk duhet assesi me luftuar as në Siri, as askund tjetër ku aty nuk është luftë e tyre, nuk është luftë e vendit të tij, nuk është luftë siç po eshohin ata mes myslimanëve dhe jo myslimanëve sepse aty po luftohet dhe gjitha grupet po paraqiten si mysliman duke filluar nga ushtria e Asadit që është një kriminel i kategorisë së lartë, por ushtria e tij janë 70 për qind Sunit, ushtria e lirë edhe ata po thonë se janë Sunit, ISIS edhe ata janë Sunit, Kurdit edhe ata thonë se janë Sunit, gjithë mysliman të devotshëm, gjithë Sunit ndërsa, po luftojnë njëri me tjetrin. Ka raste kur shqiptari është vra duke luftuar me Kurdit, ndërsa Kurdit dihet janë mysliman sikurse ne”, ka treguar ai.

Por, Imami ka një shpjegim edhe për këto grupe të cilat luftojnë mysliman me mysliman.

“Por, profeti për ta thotë se kur donë me luftuar dy mysliman njëri me tjetrin dhe edhe ai i vdekuri edhe ky i gjalli që e ka mbyt, të dytë do të shkojnë në zjarr të xhehenemit. Kur e kanë pyetur se pse thotë: ‘Kur ky i gjalli e ka mbyt atë, edhe ai me pas mundur e kishte mbyt këta’. Do me thënë luftë mes myslimanëve është duke u bërë. Do me thënë për përfitime të dikujt. Nuk ka nevojë as me menduar me shkuar atje”, ka theksuar Imami.

Imami nga Peja, ka shtuar se nuk ka dëgjuar se ndonjë Imam që është duke bërë organizim të tillë. Ai ka pohuar se ka mundësi që ka pasur dhe ka nxitje përmes ndonjë fjalimi të dikujt, pasi tregon se parulla kryesore që janë nxit të rinjët të shkojnë atje ka qenë sulmi kinse ndaj grupit Shiit që janë paraqit në Siri, e të cilët janë në përqindje të madhe. Andaj nga këto ligjërata janë stimuluar të rinjët për t’i sulmuar Shiitët dhe duke i quajtur kriminel dhe shumë të poshtër.

Megjithatë, Hajzeri thotë se nuk do të donte të komentonte rreth Bashkësisë Islame se sa ka kontribuar lidhur me këto raste. Sipas Imamit Hajzeri, feja islame po keqkuptohet edhe nëpër mediume. Ai ka folur edhe për historinë e popullit shqiptar, ku tha se historia e popullit shqiptar është histori shumë e pasur, shumë e mirë dhe në përputhje me gjitha moralet që i përkasin fesë islame. Sipas tij, edhe heronjtë siç ishte Skënderbeu, Nënë Tereza si simbol i ndihmës dhe patriotë e rilindës shqiptarë, e kanë dhënë kontributin e tyre për vendin pa marrë parasysh bindjen e tyre fetare.

Hajzeri, ka treguar se askush nuk ka të drejtë të përzihet në lidhjen e askujt me Zotin, prandaj gjithë ata që kanë kontribuar për vendin në çfarëdo forme përmenden në histori. Prandaj, sipas tij, feja islame nuk ka mundësi të reflektoj negativisht por ka nga ata të cilët e shpjegojnë fenë islame dhe e interpretojnë jo sipas mësimeve të saj por bëjnë që njerëzit me keqkuptuar islamin dhe kjo me reflektuar jo mirë në mesin e myslimanëve dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Sipas tij, faji qëndron te predikuesit dhe te ata që nuk po e shpjegojnë islamin ashtu siç është realisht dhe siç është në përshtatje me vendin tonë në Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi.