Imamët shqiptarë distancohen nga hoxhë Irfan Salihu, presin reagimin e BIK-ut

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ende nuk e ka dënuar deklaratën e hoxhës nga Prizreni, Irfan Salihu, i cili gjatë një ligjërate të tij, ka thënë se “në Kosovë gjatë vitit 1445 kanë qenë vetëm një për qind shqiptarë, kurse turqit i paskan sjellë shqiptarët në Kosovë dhe më pastaj u kanë dhënë toka atyre”.

Lajme

03/04/2015 09:11

Mosreagimi i Bashkësia Islame e Kosovës ka irrituar një pjesë të imamëve të saj, të cilët janë distancuar nga kolegu i tyre, duke thënë se duhet ndërmarrë sa më parë masa ndaj këtij punëtori të Naim Tërnavës.

Ndërsa, historianët e kanë komentuar deklaratën e hoxhës më të keqe se atë të Akademisë së Shkencave të Serbisë, e cila nëpër kohë ka hartuar plane për spastrim etnik, por megjithatë pajtohet se shqiptarët janë populli më i vjetër dhe autokton në Ballkan.

Nga ana tjetër njohës të fushës së radikalizmit fetar kanë kërkuar nga prokurori i shtetit arrestimin e hoxhës, për deklaratë të rrejshme dhe nxitëse, shkruan “Zëri”.

Imami Musli Verbani nga Kaçaniku, ka thënë se pas deklaratës skandaloze të hoxhë Irfan Salihut, ka qenë e domosdoshme që BIK-u të intervenojë ndaj atij personi dhe të kërkojë falje sepse është punëtor i këtij institucioni.

Të njëjtën qëndrim ndan edhe imami nga Podujeva, Mustafë Hajdini. Ai ka thënë se një ligjëratë e tillë është irrituese dhe skandaloze, dhe po ashtu është në kundërshtim me rregullat kuranore dhe mësimet e profetit Muhamet.