Ilir Meta: Kosova duhet t’i formojë institucionet, nuk e ka luksin për të pritur

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur në formimin e institucioneve. Duke folur për vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, Meta ka thënë se kjo vizitë do t’i shërbejë normalizimit të raporteve Serbi- Shqipëri.

Lajme

08/11/2014 14:01

Kryetari i Kuvendnit të Shqipërisë Ilir Meta, duke folur për krizën politike në Kosovë, ka thënë se kjo situatë duhet të marr fund sa më shpejt.

Meta ka thënë se Kosova nuk e ka një luks që të vonojw formimin e institucioneve dhe se nuk duhet të merret si shembull rasti i Belgjikës.

“Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje sa më të shpejtë. Kosova ka nevojë për formimin e të gjitha institucioneve të saj dhe shpresojmë për këtë gjë”.

“Pra që në ditët e ardhshme Kuvendi të mblidhet dhe bashkë me konstituimin e plotë të Kuvendit të konstituohet Qeveria dhe gjithë institucionet e tjera. Kosova nuk e ka luksin për të tejzgjatur një situatë të tillë, sepse pavarësisht se edhe Kosova ashtu sikurse edhe ne dëshiron të shkojë në Bruksel, nuk mendoj se rasti i Belgjikës duhet marrë si shembull në këtë kontekst,” tha  Meta , raporton Kosova Press.

Meta ka folur edhe për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që do të bëjë në Beograd.

 Ai pas takimit që pati në Tiranë me  nënkryetaren e Parlamentit të Serbisë, Gordana Comiq, e cila po merr pjesë në mbledhjen e grupit të punës për Procesin e Europës Juglindore, tha se vizita e Ramës në Serbi tregon vendosmërinë për të normalizuar marrëdhëniet Serbi-Shqipëri.

“Është një vizitë që tregon vendosmëri për të ecur më tej drejt rrugës së normalizimit dhe bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë. Sepse Shqipëria dhe Serbia kanë një përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e të gjithë rajonit dhe këtë përgjegjësi do ta ushtrojnë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, përmes tolerancës, përmes kreativitetit, përmes mospërsëritjes së frymës konfliktuoze të së kaluarës. Sepse duhet të jemi të vendosur për të bërë një histori të re, jo një histori në shërbim të së kaluarës, por një histori për të ardhmen,” tha Meta.

(Kosovapress)