Ilazi: Instrumenti i Para-anëtarësimit ndihmë e çmuar për Kosovën nga BE-ja

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi vlerëson se Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) i BE-së, është një ndihmë e çmuar për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian. Ai, gjatë një tryeze të organizuar me temë “Sfidat e absorbimit të fondeve të para anëtarësimit të BE-së në Kosovë nën Kornizën Financiare Afat –mesme 2014 – 2020” ka shpjeguar edhe aspektet më të rëndësishme të këtij instrumenti, fondet e së cilit koordinohen nga Ministria e Integrimit Evropian.

Lajme

23/03/2016 15:11

“Ne kemi vendosur një bazë të mirë të planifikimit afatgjatë, duke pasur tani Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin për Reforma Ekonomike dhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të cilat do të shërbejnë si baza kryesore për programimin e IPA-s dhe në përgjithësi të asistencës së jashtme. Kjo tashmë është evidentuar gjatë programimit të raundeve të fundit të IPA-s, posaçërisht të IPA 2016. Në këtë drejtim, qasja sektoriale, si element më i sforcuar në kuadër të IPA 2 në krahasim me IPA 2007-2013, ka ndikuar që të kemi një prioritizim më të mirë edhe në kuadër të sektorëve, pra që politikat kombëtare të jenë shtytje për financim nga BE-ja”, ka sqaruar ndër të tjera zëvendësministri Ilazi.

Ndërsa, sa i përket përkrahjes buxhetore sektoriale, e cila për herë të parë do të zbatohet nga Kosova për sektorin e administratës publike, Ilazi ka thënë se tashmë janë bërë përgatitje serioze nga ana e Ministrisë së Integrimit Evropian në bashkëpunim me institucionet të cilat përfitojnë nga përkrahja buxhetore sektoriale (ZKM dhe MAP) si dhe nga Ministria e Financave që është kyçe për këtë instrument.

“Ne konsiderojmë se ky modalitet i ri i IPA-s, paraqet një mundësi për të lidhur më ngushtë reformat në procesin e integrimit evropian me financimin, pra, vendos një lidhje shumë të qartë në mes politikave të ndjekura dhe nevojave të financuara”, ka plotësuar ai./kp