IKSHPK reagon pas konfirmimit se futbolli në Superligë mund të rifillojë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka lëshuar një komunikatë, pak minuta pasi është bërë e ditur se Superliga e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër për rikthimin në fushat e blerta.

Sport

18/05/2020 14:09

Gjatë kësaj dite është vendosur që skuadrat që garojnë në Superligën e Kosovës të mund të fillojnë stërvitjet duke filluar nga sot.

Vendimi është marrë në pajtueshmëri mes Ministrisë së Shëndetësisë, FFK, Zyrës së OBSh-së në Kosovë dhe IKSHPK-së.

Këta të fundit kanë lëshuar edhe një komunikatë zyrtare pas vendimit, duke kërkuar nga skuadrat që t’iu përmbahen rregullave të caktuara.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell komunikatën e IKSHPK.

Me që IKSHPK dhe Zyra e OBSh-së në Kosovë kanë konstatuar se situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ke lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet futbollistike të Superligës në vend.

Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike.

Gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore, pjesëmarrësit në to duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.

FFK do ta ndaj udhëzuesin me klubet futbollistike të Superligës dhe do t’u jap atyre instruksione shtesë lidhur me mbarëvajtjen e stërvitjeve.
#Shëndetdhesuksese⚽️?? /Lajmi.net/