IKSHPK-ja konfirmon: Në Kosovë, asnjë i prekur nga koronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur se deri më tash asnjë pacient nuk është i prekur nga koronavirusi.

Lajme

26/02/2020 18:18

Përmes një komunikate për media thuhet se nga data 8 shkurt deri më 26 shkurt, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën rRT-PCR janë testuar gjithsej 17 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative, përcjell lajmi.net.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për 6 raste të dyshimta në COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B.

Po sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 6 pacientë të dyshuar me SARS CoV-2 dhe influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, që do të thotë se nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe influencë A dhe B. /Lajmi.net/