Ikja nga Kosova

Politikanët e Kosovës do të duhej që në mënyrën më të sinqertë të tregojnë se çka mund të bëjnë që Kosova të bëhet shtet që është shtëpi e mirë dhe vend i mirë jetese.

Opinion

17/08/2019 15:46

Viteve të fundit, për shkaqe të shumta, të cilat janë pak a shumë të njohura edhe tek ne, autorët më të shquar amerikanë dhe evropianë janë marrë me burimet dhe motivet e rënies së vlerës së demokracisë dhe liberalizmit në Perëndim.

Është arritë tek shumë konkludime të arsyeshme, të qëlluara, përmes të të cilave është shfaqur e vërteta e krizës së demokracisë liberale në Botë, një çerek shekulli pasiqë u pati dhënë kumti i ngadhnjimit të pakontestueshëm të saj në Rruzullin Tokësor.

Mbase askush, atje në vitet 1989-1991, kur mori fund ‘Lufta e ftohët’, nuk ka mundur të imagjinojë dot që Perëndimi, i ndërtuar politikisht mbi demokracinë liberale, do të mbërrinte ku është sot, i goditur nga të gjitha anët nga Popullizmi i të gjitha ngjyrave.

Sidoqoftë, njëri prej konkludimeve të qëndrueshme të këtyre analizave që ka të bëjë me ‘sëmundjet’ e rënda që kanë kapluar organizimin politik në Perëndim është ky: ‘Demokracitë vdesin kur njerëzit humbin besimin që votimi ka rëndësi’.

Pa votë të lirë, nuk ka demokraci. Kjo është e qartë për këdo që ka jetuar në demokraci, apo që ka dije elementare për te.

Megjithatë, kur ndodhë dukuria e ‘lodhjes me demokraci’, apo kur skena politike në një vend arrinë në stadin kur ofron atë ‘ngopjen refuzuese’ tek qytetarët e thjeshtë  (dhe votuesit potencial), atëherë nuk habitë që qytetarët humbin besimin që përmes aktit të votimit, në një ditë të vetme, mund ta ndryshojnë jetën e tyre dhe gjendjen në shoqërinë dhe vendin e tyre, për vite të tëra.

Në këto raste, siç e dimë të gjithë, në atë vend dalin në shesh tri përgjigje të qytetarëve të mërzitur me demokracinë. Ata ose vendosin të ikin diku në një shtet tjetër ku jetohet më mirë, apo ku gjendje është stabile politikisht dhe ekonomikisht, ose bëhen pjesë e një mase të madhe apatike, ose, në atë variantin e tretë, mendojnë që situata duhet të ndryshohet me masa radikale, me protesta të të gjitha llojeve, ku nuk përjashtohet as dhuna.

Siç e dimë tek ne në Kosovë, këto tri përgjigje në vijim të rënies së madhe të besimit në skenën politike të vendit, janë aplikuar në të kaluarën, dhe janë aktuale sot e kësaj dite.

Me gjasë, në dy vitet e mbrama ka marrë hov  (dhe ka rritë vlerë), ajo përgjigja e parë, që veçohet me synimin e kosovarëve që të largohen nga Kosova, në drejtim të Evropës Perëndimore  (por edhe në SHBA dhe në Kanada), për tu bërë bashkë me familjarët e tyre të cilat në dy valë të mëdha, një herë si emigrant ekonomik, e pastaj, si azilkërkues politik, janë strehuar në Evropë dhe Amerikë. Çdo i treti kosovar me Regjistrimin e vitit 2011, jeton në Perëndim.

Megjithatë, nëse herën e parë kosovarët shkonin në Perëndim për të gjetur punë, për të fituar para dhe për tu kthyer në atdhe, e nëse radhës tjetër, ikja lidhej kryekëput me atë zullumin e shtetit të Serbisë dhe me pasojat e luftës së viteve 1998, 1999, në këtë rast, ata që ia mësynë Perëndimit kanë si motiv shtytës kryesor zhgënjimin, apo humbjen e shpresës.

Asnjëherë në historinë e re të Kosovës nuk ka ndodhë diçka e tillë.

Anjëherë, në të kaluarën kosovarët nuk janë zhgënjyer me atdheun e tyre. Zatën, pa atë kosovarin mesatar që ka qenë në gjendje të sakrifikojë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit, nuk do të jetonim në liri, dhe në një shtet.

Të gjitha partitë dhe liderët politikë të tyre, në javët e ardhshme kur do të merr hov fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dashtën apo nuk dashtën, e kanë të pashmangshme që të ofrojnë përgjigjen e tyre në këtë zhgënjim të madh të qytetarëve të këtij vendi.

Tej atyre premtimeve të lloj-llojshme marramendëse, të cilat të ofrojnë fatin e një fituesi në llotari  (në çdo llotari apo lojë fati ka shumë lojtarë dhe fare pak fitues) për të gjithë qytetarët, pastaj, sundimin e rendit dhe ligjit, luftimin e korupsionet, etj, etj, politikanët e Kosovës do të duhej që në mënyrën më të sinqertë mundshme të tregojnë se çka mund të bëjnë që Kosova të bëhet shtet që është shtëpi e mirë dhe vend i mirë jetese për të gjithë ne.

As më pak dhe as më shumë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)