IKD: Viktimave të dhunës në familje u cenohet e drejta në kompensim
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të premten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën është prezantuar raporti me titull “Kompensimi i viktimave të dhunës në familje”. Ky raporti është rezultat i analizës analitike që IKD …

Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të premten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën është prezantuar raporti me titull “Kompensimi i viktimave të dhunës në familje”.
Ky raporti është rezultat i analizës analitike që IKD i ka bërë aktgjykimeve të Gjykatave Themelore të Kosovës për periudhën 2020-2022.
Hulumtuesi i IKD-së Flamur Kabashi gjatë prezantimit të raportit tha se rastet e kompensimit të viktimave të dhunës në familje nuk po vendoset në procedurë penale, por palët po udhëzohen në konteste civile.
Ai theksoi se në të gjitha 50 aktgjykimet e analizuara për rastet e dhunës në familjes, pavarësisht paraqitjes së kërkesës për kompensim, gjykata kanë udhëzuar në kontest civil.
“Pavarësisht faktit se viktimat kanë paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit të shkaktuar nga vepra penale në 24 raste, IKD ka gjetur se në asnjë prej rasteve gjykatat nuk kanë vendosur në procedurë penale. Prej nga rrjedhë se, gjykatat kanë udhëzuar në kontest civil në të gjitha rastet e ekzistimit të kërkesës pasurore juridike. Sipas analizës së aktgjykimeve është identifikuar se në 31 raste, gjykatat kanë udhëzuar palën/viktimën në kontest civil”, tha Kabashi, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Kabashi flet dhe për mungesën e përfaqësimit të viktimave të krimit në procedurën penale.
“Ajo çfarë tërheq vëmendjen është mungesa e përfaqësimit të viktimave në procedurë. Përkundër këtyre përcaktimeve, IKD ka gjetur se nga 50 raste të analizuara, viktimat kanë pasur përfaqësim në vetëm 22 raste, në 15 prej tyre nga mbrojtësi i viktimave, derisa në shtatë (7) raste të tjera, kanë qenë të përfaqësuara nga avokatët, që kanë angazhuar. Shprehur në përqindje, i bie se viktimat kanë pasur përfaqësues në vetëm në 38% të rasteve, duke rezultuar në mos përfaqësim profesional për viktimën në 62% të rasteve tjera”, tha ai.