IKD: Dështoi mbrojtja e buxhetit të Kosovës nga veteranët e rrejshëm

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikon raportin “Drejtësia ‘amniston’ veteranët e rrejshëm, dëmton Buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e ‘veteranëve të rrejshëm’”.

Lajme

08/09/2019 11:40

Gzim Shala nga IKD-ja, tha se Prokurori i Shtetit dhe Prokuroria Themelore e Pejës dhe Gjykata Themelore e Pejës, kanë dështuar në mbrojtjen e buxhetit të shtetit në rastin e “veteranëve të rrejshëm”.

Ai tha se në aktakuzat dhe trajtimin e rasteve të veteranëve të rrejshëm, asnjëherë nuk është marrë vendim që të njëjtit të kthejnë mjetet në arkën e shtetit.

“Prokuroria Themelore e Pejës kishte pranuar 17 mijë dosje dhe më 24 maj 2019 ka ngritur 20 aktakuza ndaj 21 personave. Me një rast të monitoruar IKD ka gjetur se kjo prokurori në aktakuzën e saj ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë, mirëpo edhe nuk ka propozuar që të pandehurit ta kompensojnë shumën e përfituar në mënyrë të kundërligjshme në emër të pensionit të veteranit. Në këtë mënyrë PTHP-ja vetëm sa e ka identifikuar palën e dëmtuar, në rastin konkret Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mirëpo nuk ka propozuar që këto mjete buxhetore të kthehen në buxhetin e shtetit. Për më tepër nuk ka propozuar që të bëhet një dënim plotësues krahas dënimit kryesor që të kemi kompensim të dëmit”, tha ai, raporton EO.

Me këtë rast IKD-ja ka dhënë edhe disa rekomandime për institucionet e drejtësisë.