IHRC ultimatum MPJ-së: Nënshkruani ose i heqim fondet

Komiteti Para Olimpik i Kosovës ditë më parë kërkoj nga Ambasadorja e Vullnetit të Mirë në Kosovë që t’i përkrahë rreth organizimit të olimpiadës për persona me nevoja të veçanta. Por, morën përgjigje negative nga ambasadorja. Kjo e fundit tregon se nuk mund të sjellë fonde nga Komisioni Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IHRC) derisa Ministria e Punëve të Jashtme nuk nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me ta.

Lajme

08/06/2015 10:47

Ka më shumë se një vit që Elvana Shala u emërua Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovë, por marrëveshja mes IHRC-së dhe MPJ-së, e cila do t’i hapte rrugë realizimit të shumë projekteve në Kosovë, për personat me nevoja të veçanta, që atëherë ka mbet vetëm një premtim.

E tani, IHRC i ka dhënë kohë Kosovës deri në fund të këtij muaji, të jap një përgjigje lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, në të kundërtën, të gjitha kompetencat që i takojnë Kosovës, së bashku me fondet, do t’i barten një shteti tjetër.

Këtë e thotë ambasadorja Elvana Shala, për të cilën krejt kjo zvarritje për nënshkrimin e kësaj marrëveshje është e pakuptimtë.

Në një intervistë dhënë KosovaPress-it, Shala thotë se mos nënshkrimi i kësaj marrëveshje po shkon në dëm të Kosovës. Nga zyrtarë të MPJ-së, ajo thotë të ketë marrë vetëm premtime.

Shala tregon se po ndjehet keq kur po humbë shumë mundësi për të ndihmuar, krejt shkaku i një nënshkrimi.

“Komiteti Para Olimpik i Kosovës kërkoj nga unë që të iu ndihmojë në organizimin e olimpiadës për persona me nevoja të veçanta, olimpiadë e cila tashmë është tradicionale dhe mbahet çdo vit në akademinë policore të Kosovës në Vushtrri. Në momentin që kam kërkuar nga komisioni që të bëjmë një pjesë të financimit të këtij eventi, ata automatikisht ma kthyen përgjigjen se pa nënshkrimin e kësaj marrëveshje është e pamundur që të sjellin fonde në Kosovë për të iu ndihmuar cilës do kategori të njerëzve apo cilit do event apo projekt që realizohet”, thotë ajo.

Zvarritjen e këtij nënshkrimi, ajo e quan dobësi të shtetit të Kosovës. Thotë se ka një kohë të gjatë që dokumentacioni për nënshkrimin e kësaj marrëveshje po kalon nëpër të gjitha procedurat ligjore nëpër departamentet e ministrisë.

Por ajo çka e shqetëson tani ambasadoren, është ultimatumi i dhënë nga komisioni. Ajo thotë se Komisioni Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ka dhënë afat kohor deri në fund të muajit qershor të këtij viti, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit. Në të kundërtën, sipas Shalës, ata do t’i bartin të gjitha kompetencat e parapara për Kosovën, në një shtet tjetër.

“Është shansi i fundit që i jepet Kosovës për të marrë një përgjigje nga ana e ministrisë, sepse është neglizhuar tej mase, një vit e disa muaj është vërtetë shumë që të pritet për një marrëveshje bashkëpunimi. Shumë qartë ambasadori ma ka bërë me dije që nëse deri në fund të qershorit nuk nënshkruhet, të gjitha kompetencat e parapara për shtetin e Kosovës, bashkë me buxhetin dhe gjithçka tjetër që vjen pas tij i kalojnë një shteti tjetër. Çka do të thotë, se unë më absolutisht nuk do të kem mundësi të kërkojë asgjë nga zyra e komisionit as e kryetarit botëror të tij, do të mbes vetëm si imazh përfaqësues i shtetit atje, duke mos pas mundësi që t’i ndihmojë popullit të Kosovës në asnjë projekt”, thotë ajo.

Shala thotë se do të vazhdojë përpjekjet për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pasi që sipas saj, është një rast shumë i mirë që të mund të ndihmojnë organizata, e persona të ndryshëm që kanë nevojë në Kosovë.

Tutje, ajo tregon se me këtë marrëveshje bashkëpunimi, shteti i Kosovës nuk i detyrohet asgjë financiarisht komisionit.

“Brenda marrëveshjes shumë qartë theksohet që Republika e Kosovës nuk i detyrohet financiarisht, absolutisht asgjë komisionit lidhur me përkrahjen financiare ose diçka të tillë, meqenëse komisioni i kryen këto të gjitha vet. Prandaj as unë nuk po shoh ndonjë arsye të veçantë, pse kjo marrëveshje të neglizhohet kaq kohë të gjatë”, thotë ajo.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë në Kosovë, ka një vit e më shumë, që nga emërimi i saj në këtë post, që po pret për nënshkrimin e marrëveshjes së IHRC-së dhe shtetit të Kosovës. Pa një marrëveshje të tillë, IHRC nuk mund të hap selinë në Kosovë dhe as të financojë ndonjë projekt.

Elvana Shala thotë se tani për tani është vetëm imazh përfaqësues për Kosovë, por pa mundur të ndihmojë në ndonjë projekt.

Ajo thotë se gjatë kësaj kohe, prej se ka marrë mandatin, i ka munguar përkrahja e institucioneve të Kosovës. E sipas saj, për të ecur përpara dhe për të kryer misionin që ka, ashtu siç duhet, fillimisht duhet të ketë përkrahjen e shtetit të saj.

“Kemi humbur raste të shumta kemi humbë projekte të shumta, për t’i ndihmuar popullit të Kosovës, pikërisht për shkak të mos nënshkrimit të saj”, thotë ajo.