Idro Seferi: Serbia mund ta pengojë Kosovën në KE veç me çnjohje, sepse s’e ka më Rusinë

Korrespodenti nga Beogradi, Idro Seferi, ka thënë se në Serbi ka pasë tension politik pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Lajme

13/05/2022 18:48

Ai ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit të Francës në Serbi, Pierre Cochard, i cili tha se Franca nuk e mbështet vendimin e Kosovës për aplikim në KE pasi e konsideron si “veprim të njëanshëm”.

“Përgjithësisht në Serbi është pritur me tension politik i gjithë aplikimi i Kosovës në KE. Edhe deklarata e ambasadorit të Francës në Serbi, Pierre Cochard, shihet si mbështetje të Serbisë dhe të premtimeve që ndoshta Aleksandar Vuçiq i ka marrë nga presidenti francez Emmanuel Macron”.

Seferi tha se ideja e takimit të sotëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi ka qenë që të njoftohet se Serbia i ka siguruar katër çnjohje për Kosovën.

“Shefi i diplomacisë serbe i cili është në detyrë, Nikola Selakoviq, ka thënë që ia ka dorëzuar katër letra që konfirmojnë tërheqjen e njohjes për Pavarësinë e Kosovës presidentit Aleksandar Vuçiq. Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë ka vendosur që të autorizojë presidentin Vuçiq që në momentin e duhur ai t’i bëjë këto të ditura. Ajo që Selakoviq ka thënë që ky është vetëm një mesazh për shtetet që po lobojnë pro Kosovës për anëtarësim dhe ka thënë po ashtu se sipas informacioneve që Serbia ka janë dy shtete të fuqishme të cilat janë duke lobuar për Kosovën dhe Serbia dëshiron të çojë mesazh që shtetet të mos votojnë pro Kosovës”.

Ai ka thënë se Serbia në vazhdimësi ka lobuar që disa vende të Afrikës dhe të Azisë të tërheqin njohjen për Pavarësinë e Kosovës, madje edhe gjatë moratoriumit njëvjeçar të dalë nga Marrëveshja e Washingtonit.

“Serbia në vazhdimësi ka deklaruar se i ka 14 shtete të cilat janë të gatshme që ta tërheqin njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe këto katër të fundit, sipas Selakoviqit, janë me letra që i ka sjellë nga qeveritë përkatëse. Serbia pretendon se do të ketë më shumë, derisa akoma nuk janë publikuar nga presidenti Vuçiq, gjë që besoj që është rezervuar për një konferencë të jashtëzakonshme”.

“Në disa raste Serbia ka pasë premtime të tilla dhe pavarësisht që ka qenë në fuqi Marrëveshja e Washingtonit, të cilën Serbia e konsideron se është shkelur, gjatë gjithë kohës është lobuar në disa vende të Afrikës dhe të Azisë që të tërheqin njohjet për Kosovën. Do ta shohim se a do të ketë konfirmim nga këto shtete, sepse në të kaluarën ka pasë deklarata të tilla por ka qenë e paqartë nëse janë tërhequr njohjet ose jo”, tha ai në klankosova.

Gazetari Idro Seferi ka thënë se Serbia të vetmen mundësi për ta penguar Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës është përmes çnjohjeve, sepse Rusia nuk mund ta mbështesë më pasi që është përjashtuar.