Identifikohet një 54 vjeçar në rrënoja në Miramare, po punohet për nxjerrjen
Kanë vijuar pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit, për nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit.
Lajme
Në Thumanë dhe Durrës prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme dhe deri në orën 12.40 janë nxjerrë nga rrënojat 10 shtetas të pajetë.
Në lagjen nr 13 në Plazh, tek Mira – Mare, ekipet e shpëtimit, para një ore kanë identifikuar trupin e 54 vjeçarit dhe po punojnë po nxjerrjen e tij nga rrënojat.
Forcat Speciale Renea, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si dhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës kanë vijuar operacionet e kërkim-shpëtimit përgjatë gjithë natës në kushte të vështira.
Në Thumanë aktualisht janë ndërprerë kërkimet, pasi nga të dhënat që disponohen nuk ka më persona nën rrënoja.
Ndërkohë në Durrës vijojnë kërkimet në lagjet Nr. 6, 13 dhe 17, te ish-Këneta, për gjetjen e personave që dyshohet se kanë mbetur poshtë rrënojave.
Punonjësit e Policisë janë të angazhuar edhe në ndihmë të ekipeve të emergjencave, në qendrat ku janë ngritur çadrat.
Nga lëkundjet e fundit nuk janë konstatuar probleme për jetën e qytetarëve. /abcnews.al