Ideja e FIFA-s, çdo dy vjet një mini-Botëror me tetë ekipe

Një turne i ngjashëm me Ligën e Kombeve dhe që në një farë mënyre mund të ndërthuret me kompeticionin e krijuar nga UEFA.

Sport

03/05/2018 12:23

FIFA përgatit formatin e një turneu të ri. Sipas “l’Equipe”, presidenti Infantino po studion krijimin e një mini-Botërori.

Bëhet fjalë për një aktivitet që do të luhet në çdo dy vjet, me pjesëmarrjen e tetë skuadrave përfaqësuese.

Një turne i ngjashëm me Ligën e Kombeve dhe që në një farë mënyre mund të ndërthuret me kompeticionin e krijuar nga UEFA.

Për momentin nuk janë bërë ende të qarta detajet e projektit, por sipas zërave që qarkullojnë, ai mund të bëhet shumë shpejt realitet dhe të nisë prej vitit 2021.

Më tepër ndeshje, sponsorë dhe të ardhura. Në këtë mënyrë FIFA kërkon të shtojë spektaklin dhe përfitimet, nëpërmjet krijimit të “Final 8”, me turneun që pritet të luhet në periudhën tetor-nëntor. Duke iu referuar gazetës franceze, “l’Equipe”, një grup investitorësh janë të gatshëm të paguajnë 25 miliardë dollarë për të siguruar të drejtat e turneut për 12 vitet në vazhdim, transmeton “SS”.

Mini-Botërori është pjesë e një plani reformash mjaft ambicioz të futbollit ndërkombëtar.

Në rast se projekti do të konkretizohet, rrezikohet që të zhduket Kupa e Konfederatave, që zhvillohet çdo katër vjet, vetëm 12 muaj përpara startit të Kupës së Botës.