Ideatori i sukseseve të Feronikelit i lumtur që titulli i kampionit rikthehet në Drenas

Dita e diel në Drenas u shndërrua në një festë të madhe.

Sport

22/05/2019 19:27

Skuadra nga ky vend, arriti të fitonte titullin e kampionit të Kosovës, duke e mundur 1:0 Prishtinën në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’, në ndeshjen e javës së 33-të të Superligës së Kosovës, me një gol të shënuar nga Yll Hoxha.

Ky titull ishte i treti në historinë e skuadrës nga Drenasi, ndërsa i pari që nga viti 2016.

“Ky sezon për Feronikelin ishte shumë i suksesshëm, ku u kurorëzua me titullin e kampionit, dhe shpresoj që të premten të fitojë edhe Kupën”, ka deklaruar Artan Berisha, ish drejtori i kësaj skuadre për portalin lajmi.net.

Në kohën kur Berisha ishte drejtor i Feronikelit, skuadra nga Drenasi fitoi dy tituj të kampionit, dhe njëri erdhi menjëherë pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Njeriu që njihet si ideatori i këtyre sukseseve, është shprehur krenar me punën e bërë te kampionët e rinj të Kosovës, duke qenë i lumtur që ka ndërtuar një bazament të fortë te skuadra e Feronikelit, e cila po vazhdohet me sukses të madh edhe nga presidenti i ri i klubit, Naser Ramaj.

“Ne jemi krenar me punën që kemi bërë ndër vite dhe bazamentin që kemi ndërtuar, gjë e cila është duke u vazhduar me sukses nga z. Naser Ramaj, dhe shpresojmë që ky sukses të vazhdojë edhe më tutje, dhe Feronikeli të jetë një super fuqi në futbollin e Kosovës, pse jo edhe në rajon”.

“Unë ndihem shumë krenar që kam qenë pjesë e historisë së Feronikelit, dhe i jam gëzuar rikthimit të titullit në Drenas, shpresoj që edhe në arenën ndërkombëtare të korrin suksese”, ka shtuar Berisha.

Kujtojmë se në kohën kur krem Elshani ishte kryetar e Berisha si drejtor, Nikli shijoi padyshim sezonet më të mira në histori, duke fituar pesë trofe./Lajmi.net/