Ibra rikthehet në Juventus?

Zlatan Ibrahimovic dëshiron të rikthehet në Juventus. Ish trajneri i yllit suedez, Stefan Hansson, ka biseduar me të dhe anëtari i Paris Saint-Germain e ka njoftuar se planifikon të luajë sërish për Bianconerët.

Sport

06/08/2014 09:21

Trajneri i skuadrës indoneziane Mitra Kukar, Stefan Hansson ka bërë të ditur se Zlatan Ibrahimovic dëshiron të rikthehet në Juventus.

Hansson ka punuar me yllin e Paris Saint-Germain në Malmo dhe ka njoftuar se gjatë bisedës së fundit me reprezentuesin suedez, ky i fundit ka shprehur gatishmërinë të rikthehet në radhët e gjigantit torinez.

“Kam biseduar me Ibran. Jemi ende në marrëdhënie fantastike pas punës së përbashkët në sektorin e të rinjve në Malmo”, deklaroi Hansson për të përditshmen sportive italiane “Tuttosport”.

“Kemi diskutuar edhe për të ardhmen e tij dhe më ka thënë se dëshiron të kthehet në Juventus. Nëse nuk arrin ta bëjë menjëherë, ndoshta pas një viti. Nuk është një problem i parave. Zlatan i ka bërë paratë, tani mund të zgjedh lirisht se ku dëshiron të shkojë”, u shpreh ai.

Ibrahimovic ishte futbollist i Juventusit gjatë periudhës 2004-2006.