I shpall luftë ISIS-it, kudo që ndodhet

“Si Komandant i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, përgjegjësia ime më e madhe është siguria e popullit amerikan, prandaj autorizoj sulmet ajrore të ushtrisë amerikane për shkatërrimin e militantëve të ISIS-it edhe në Siri”.

Bota

11/09/2014 10:07

Kështu ka thënë të mërkurën në mbrëmje, në fjalimin e tij drejtuar kombit amerikan, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e shpalosjes së strategjisë së qeverisë amerikane për të luftuar organizatën terroriste të dalë nga Al Qaeda, të ashtuquajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Njoftimi për të luftuar organizatën e formuar nga terroristët sunni, të cilët përmes pushtimit të tokave në Siri dhe Irak, masakrave ndaj të krishterëve dhe myslimanëve shiitë, shpallën kalifatin e tyre të quajtur Shteti Islamik, erdhi një ditë përpara përvjetorit të 11 shtatorit 2001, kur 13 vjet më parë Al Qaeda kreu sulme terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara.  

Obama bëri të njohur strategjinë e tij për të zgjeruar sulmet ajrore ndaj ISIS-it, tha se përvec se në Irak, ato do të kryehen tani edhe në Siri, aty ku ky grup duket ta ketë bazën e saj që synon zgjerimin e kufijve të “Shtetit Islamik”. 

Presidenti tha se gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar vazhdimisht luftë kundër terroristëve dhe në këtë luftë janë arritur suksese të rëndësishme, si vrasja e Osama Bin Ladenit dhe e një numri udhëheqësish të Al Qaedas në Afganistan e Pakistan, si dhe e komandantit të kësaj organizate terroriste në Somali.

“Falë ushtrisë amerikane, vendosmërisë sonë, Shtetet e Bashkuara janë një vend më i sigurt. Por ne vazhdojnë të përballen me kërcënimin terrorist. Ne nuk mundet të zhdukim të keqen nga bota. Siç pamë më 11 shator të vitit 2011 dhe që e shohim edhe sot. Kjo është arsyeja përse ne mbetemi vigjilentë”.

“Në këtë moment, kërcënimi më i madh vjen nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, ku grupe radikale si ISIS, apo Shteti Islamik, shfrytëzojnë padrejtësitë për të nxjerrë përfitimet e tyre. Ata janë brutalë, ekzekutojnë të burgosurit, vrasin fëmijë, kërcënojnë pakicat fetare me gjenocid. Me aktet e tyre barbare, ata i morën jetën edhe dy gazetarëve amerikanë të zënë peng, Jim Foley and Steven Sotloff”, tha Obama.  

Presidenti Obama tha se organizata Shteti Islamik, me veprimet e saj, ka treguar se nuk është një organizatë fetare, por një organizatë terroriste.

“Le ta bëjmë të qartë: ISIS nuk është ‘islamike’. Asnjë fe nuk fal vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe shumica e viktimave të ISIS-it kanë qenë myslimanë. ISIS, sigurisht që nuk është shtet. Ajo ka qenë degë e Al-Qaedas në Irak dhe ka shfrytëzuar luftën sektare dhe luftën civile në Siri për të fituar territor në të dyja anët e kufirit mes Irakut dhe Sirisë. ISIL është thjesht një organizatë terroriste, që nuk ka një vizion të vetin, veç masakrimit të cilitdo që i del përpara”.

Prandaj, sipas presidenti Obama, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të udhëheqin një përpjekje të vazhdueshme dhe të pamëshirshme për shkatërrimin dhe kapjen e ekstremistëve të ISIS-it.

“Kushdo që e kërcnon Amerikën, nuk ka vend të sigurt në botë. Prandaj, kjo fushatë anti-terroriste do të jetë e vazhdueshme dhe e pamëshirshme për kapjen e ekstremistëve të ISIS-it, kudo që ata ndodhen, duke përdorur forcën ajrore dhe mbështetjen tonë për forcat e partnerëve tanë në terren”, tha ai.

“Objektivi ynë është i qartë, dobësimi dhe në fund shkatërrimi i militantëve, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit”.

Presidenti bëri të njohur një plan me katër pjesë, për vazhdimin e sulmeve ajrore, që tashmë kanë provuar se janë të suksesshme, në zmbrapsjen e militantëve në Irak.

Së pari, tha ai, fushata ajrore sistematike kundër terroristëve do të vazhdojë. Në bashkëpunim me qeverinë irakiane, do të zgjerohen sulmet kundër ISIS-it dhe do të ndiqen terroristët kudo që të ndodhen, qoftë në Siri, apo në Irak.

Së dyti, presidenti Obama tha se do të shtohet mbështetja për forcat në terren. Në Irak do të çohen edhe 475 këshilltarë të tjerë ushtarakë amerikanë, për trajnimin e forcave irakiane dhe kurde.

Por, presidenti theksoi nuk do të çohen trupa tokësore amerikane. Ai po ashtu i bëri thirrje Kongresit të miratojë më tepër ndihma për luftëtarët e opozitës në Siri. 

Së treti, presidenti tha se SHBA do të dyfishojnë përpjekjet për bllokimin e fondeve  për “Shtetin Islamik”, do të përmirësojnë zbulimin në rajon dhe nuk do t’i lejojnë luftëtarët e huaj të udhëtojnë në Lindjen e Mesme.

Së katërti, do të vazhdojë ndihma humanitare për viktimat e “Shtetit Islamik”, përfshirë civilët e pafajshëm dhe pakicat fetare që ka terrorizuar ky grup.

Presidenti  Obama me këtë rast autorizoi për herë të parë sulme ajrore amerikane ndaj militantëve të “Shtetit Islamik” në Siri, duke thënë se lufta kundër ISIS-it do të jetë një luftë e përbashkët me aleatët, e një koalicioni të gjerë, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

“Kjo nuk është vetëm lufta jonë. Fuqia amerikane mund të arrijë rezultate të rëndësishme, por ne nuk mund të bëjmë për irakianët atë që ata duhet të bëjnë për veten e tyre dhe as mund të marrim rolin e partnerëve tanë arabë në sigurimin e rajonit të tyre. Kjo është arsyeja përse unë kam këmbëngulur që një veprim tjetër i SHBA varej nga formimi i një qeverie irakiane gjithëpërfshirëse, që ata e realizuan ditët e fundit”.

“Prandaj sot, kur kemi një qeveri irakiane dhe pas konsultimeve me aleatët e jashtëm dhe ata brenda vendit në Kongres, unë mund të bëj të njohur se Amerika do të udhëheqë një koalicion të gjerë, për ta zmbrapsur këtë kërcënim terrorist. Objektivi ynë është i qartë: ne do ta dobësojmë dhe në fund, do ta shkatërrojmë ISIS-in, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit, përsëriti presidenti amerikan.