I plagosuri nga xhandarmëria serbe, lirohet nesër pasi t’i paguaj 25 mijë euro
I plagosuri nga xhandarmëria serbe më 26 gusht të këtij viti në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi, Naim Zeqiri që është duke u mbajtur në shtetin serb, mund të lirohet nesër.
Lajme
Burime të sigurta të ‘PrishtinaMagazine’ pranë familjarëve të të plagosurit kanë treguar se familjes i janë kërkuar 25 mijë euro para të gatshme nga shteti serb për ta liruar Naim Zeqirin i cili ishte plagosur në një shkëmbim zjarri me xhandarmërinë serbe matanë kufirit.
“Nesër mund të lirohet personi i plagosur para disa ditësh nga Policia serbe. Paraprakisht familja duhet me i dorzu 25 mijë euro avans, pastaj të lirohet”, ka treguar për ‘PrishtinaMagazine’ një familjar i afërt i Zeqirit që nuk ka dashur t’i përmendej emri.
Familjari ka treguar se një shumë të të hollave ia ka siguruar një person nga diaspora, ndërsa një pjesë janë duke i mbledhur deri nesër në orët e para të mëngjesit kur është afati i fundit për t’i dorëzuar.
“15 mijë euro ia ka siguruar një person nga diaspora që jeton jashtë Kosovës e një pjesë tjetër janë duke i mbledh për nesër”, ka treguar familjari.
Parat sipas këtij familjari duhet të dorëzohen në qytetin e Prokuples, pastaj të lirohet.
Ky familjar ka treguar se Naim Zeqiri ka mbetur invalid nga këmbët .
“Ai ka mbetur invalid prej këmbëve, dhe nuk mund t’i lëviz për shkak të plagëve që i ka marr”.
Më 28 gusht të këtij viti shtetasi i Kosovës Fatmir Mehmeti nga Dumnica ishte vrarë gjatë një përleshje me armë zjarri me xhandarmërinë serbe, ndërsa kishte mbetur i plagosur Naim Zeqiri. Nga kjo përleshje kishte mbetur i vdekur edhe një shtetas serb që kishte qenë në detyrë.
Kufoma e Fatmir Mehmetit, i vrarë me 28 gusht nga xhandarmeria serbe, i është dorëzuar anëtarëve të familjes, nga morgu i spitalit te Prokuples. Mehmeti u vra gjate një përleshje me armë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, ne afërsi te fshatit Merdarë.
Përleshja kishte ndodhur si shkak i prerjes ilegale të pyjeve në pjesën serbe.