I përkeqësohet gjendja njërit prej të prekurve me koronavirus

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, po trajtohen 43 persona të prekur nga COVID-19, nga 112 sa janë në tërësi në vendin tonë.

Lajme

01/04/2020 09:31

Në Kosovë numri i personave të prekur me koronavirus ka arritur në 112.

Sipas Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 43 pacientë të prekur me COVID-19, shkruan lajmi.net.

Sipas SHSKUK-së, gjashtë prej tyre tyre janë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive ndërkaq, 36 të sëmurë janë në gjendje stabile.

“Një paciente ndodhet në kujdesin intensiv të klinikës dhe ka përkeqësim të gjendjes, është në ventilim mekanik”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Raport 24 orësh nga Klinika Infektive

Në Klinikën Infektive, sot me 01/04/2020, gjenden të spitalizuar gjithsej 56 pacientë.

Prej tyre, me Covid- 19 janë gjithsej 43 raste, ndërsa janë në pritje të rezultateve për 10 raste.

Gjendja e pacienteve të sëmurë me Covid -19 është si vijon:

Nga 43 raste të sëmurë me Covid- 19, 36 të sëmurë janë në gjendje stabile, ndërsa 6 prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Një paciente ndodhet në kujdesin intensiv të klinikës dhe ka përkeqësim të gjendjes,është në ventilim mekanik.

Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, të testuar pozitive me Covid -19 vazhdojnë të jenë 3 infermiere në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave dy janë duke u trajtuar në klinikë ndërsa njëra është e vetizoluar në shtëpi.

Raport i hartuar nga dr. Sadie Namani, specialiste -infektokoge. /Lajmi.net/