I Pari Shpend
Në seancën inauguruese të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë betimin dhe ka nënshkruar deklaratën në të cilën zotohet të punojë për interesat e qytetarëve të Komunës. Të njëjtën e kanë bërë edhe Këshilltarët Komunalë.
Lajme
Shpend Ahmeti ka bërë betimin si Kryetar i Prishtinës duke marrë edhe zyrtarisht pozitën për të cilën e votuan zgjedhësit në balotazhin e 1 dhjetorit të këtij viti.
Në seancën inauguruese të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Ahmeti ka bërë betimin dhe ka nënshkruar deklaratën në të cilën zotohet të punojë për interesat e qytetarëve të Komunës. Të njëjtën e kanë bërë edhe Këshilltarët Komunalë.
Ahmeti është shprehur i lumtur që i është dhënë mundësia për ta bërë betimin para flamurit kombëtar. Ai gjithashtu ka falënderuar ish-Kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën për punën që ka bërë gjatë dy mandateve.
“Më lejoni së pari të shpreh edhe falënderimin e administratës që sot pata mundësinë të jap betimin edhe para flamurin kombëtar”.
“Dua që së pari të falënderoj të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto zgjedhje që u siguruan që këto zgjedhje të shkojnë si është më së miri të janë të qeta dhe me sa më pak parregullsi”.
“Po ashtu falënderoj edhe për punën e deritanishme kryetarin e fundit të Komunës së Prishtinës profesor Isa Mustafën, për kontributin që ka dhënë në 6 vitet e fundit dhe po ashtu falënderoj edhe drejtorët dhe anëtarët e Qeverisë që kanë qenë në qeverisje të Prishtinës, për punën dhe kontributin që kanë dhënë në mandatin e fundit”.
Kryetari i ri i Prishtinës Ahmeti ka thënë se betimin e ka bërë jo vetëm para asamblesë komunale por para të gjithë qytetarëve. Ai thotë se do të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Shërbimi publik shërbimi për qytetarët është ndër mënyrat më të mira për ta gjetur vetën”.
“Me këtë vjen edhe një përgjegjësi tepër e madhe është përgjegjësi shumë më e madhe se çfarëdo menaxhimi tjetër sepse në fakt thirresh për të menaxhuar të përbashkëtën atë që është publike”.
“Jo vetëm se paratë dhe buxheti janë të taksapaguesve por sepse ne jetojmë në një Republikë e në Republikë sovrani është ai që merë vendimet përfundimtare është vetë populli”.
“Andaj unë sot e dhash betimin jo vetëm para juve anëtar të Kuvendit Komunal, por para të gjithë qytetarëve se unë do të shërbej unë do të jem në shërbimin tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme në mënyrën më besnike të mundshme në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme”.
“Të nderuar anëtar të Kuvendit Komunal, sovrani ka dhënë vendimin e vet për përfaqësimin e juaj në Kuvendin komunal të Prishtinës, pa marrë parasysh numrin e votave që keni marrë ju sot përfaqësoni qytetarët e Komunës sonë. Detyra e ime dhe detyra e juaj është që ta mbroni interesin publik, e në këtë detyrë unë do të jem përkrah juve ne çdo betejë që ne do ta bëjmë së bashku”.
Në fletën e tekstit të betimit gjendej stema e Republikës së Kosovës dhe ajo e Komunës së Prishtinës, ndërsa organizatorët ishin përkujdesur që Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes t’ia vendosnin një flamur kombëtar në sallë krahas flamurit të Republikës së Kosovës.
Ahmeti ka lexuar këtë tekst të betimit.
“Unë, Shpend Ahmeti, betohem që do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si Kryetar i Komunës së Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje, në pajtim me ligjin, në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë të qetë për të gjithë. Betohem”.
Kryetari Ahmeti, ka deklaruar se do t`i kushtoj rëndësi të madhe zbatimit të ligjit. Ai gjithashtu tha se prioritet do t`i ketë pensionistët, rininë, familjet me gjendje të rënë ekonomike.
“Ne duhet të punojmë për pensionistët, për këtë shtresë kaq të harruar të shoqërisë sonë të cilët e dimë se sa kanë kontribuar vetëm për komunën tonë, por edhe për shtetin tonë në përgjithësi”.
“Duhet të punojmë për vajzën dhe gruan në komunën tonë edhe në shtetin tonë në përgjithësi. Për shkak se diskriminimi ndaj vajzës dhe gruas, vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore që kemi ne si shoqëri”.
“Duhet të punojmë për rininë, e cila po ashtu ju e dini se po bredh rrugëve edhe po kërkojnë fatin e tyre shtete evropiane shumë shpesh edhe duke kaluar ilegalisht”.
“Dhe në fund duhet të punojmë për të gjithë ata të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Ata janë në numër të madh si në komunën tonë po ashtu edhe në komunat tjera”.
“ Ndër prioritetet tona në Komunën e Prishtinës, do të jetë sundimi i ligjit për të gjithë. Në Komunën tonë do të punoj që ligji të vlej për të gjithë në mënyrë të barabartë.
“Ne duhet të punojmë sa është e mundshme, duhet të punojmë tepër shumë që të krijojmë vende të reja të punës dhe që Komuna të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik me krijimin e vendeve të punës dhe një jetë më të mirë për të gjithë.
“Prioriteti i tretë në nivelin e politikave do të jetë barazia sociale”.
Ahmeti u ka thënë punëtorëve të administratës të mos frikësohen për vendet e tyre të punës.
“Dua t`i përshëndes punëtorët e administratës në Komunën e Prishtinës, sepse kamë dëgjuar fjalë të ndryshme se ata duhet të frikësohen se do të ketë ndryshime të mëdha. Unë në komunë do të vazhdoj në mënyrën sa më normale të mundshme, ata të cilët punojnë dhe kanë punuar nuk kanë arsye pse t`i frikësohen ndryshimit”.
“Po e përfundoj fjalimin tim duke iu thënë qytetarëve të Komunës së Prishtinës se Komuna është e juaja, ne jemi vetëm menaxher të pronës së juaj. Komuna e Prishtinës është pronë e qytetarit të Prishtinës është pronë e qytetarit të Republikës së Kosovës”.
Këshilltari më i vjetër i Kuvendit Komunal, Feti Mehdiu, thotë se qeverisja e drejtë është garanci për të ardhmen.
“Ne nga ky kuvend mund t`ju premtojmë edhe njëherë qytetarëve të Prishtinës, sa do të mund ta mbajmë këtë premtim do të varet edhe prej atyre sa do të na ndihmojnë ata, por ne mund t`u premtojmë se do të përpiqemi sa është e mundur që komuna e Prishtinës, qytetarët e Prishtinës të qeverisen, të administrohet kjo komunë, pa emocione, pa iluzione, pa privilegje sepse vetëm qeverisja me drejtësi është garanci për të ardhmen”.
Në Kuvendin Komunal Vetëvendosje do ta përfaqësohet me 10 asamblistë, LDK me 18, PDK me 8, AAK-LDD me 4, AKR gjithashtu me 4, PD me 2, LB me 2, PF me 1, KDTP me 1 dhe GIS me 1.
Menjëherë pas seancës inauguruese, Ahmeti është takuar me tashmë ish Kryetarin Isa Mustafa, nga i cili ka marrë detyrën e të parit të Prishtinës.