I Pari në Bronz
Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova u inaugurua në Sheshin e Tij në Prishtinë, me ceremoni shtetërore dhe me prezencë të shumtë qytetare. Ky moment u quajt historik, ashtu siç konsiderohet edhe vetë Presidenti i Parë i Kosovës.

Lajme
Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova është vendosur sot në sheshin kryesor të Prishtinës, i cili mban emrin e tij.
Ky moment u quajt historik.
Qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në përurimin e shtatores mbi 4 metra të lartë në Prishtinë, të njeriut për të cilin u tha se “ishte zëri i vetëm human në atë egërsi” në kohën kur Rugova bënte thirrje për zgjidhje paqësore përderisa Kosova ishte e rrethuar nga luftërat.
Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se sot Prishtina po e nderon njeriun që e krijoi idenë e pavarësisë së Kosovës, njeriun që këtë ide e shndërroi në besim dhe që e përjetësoi këtë besim suprem me themelimin e shtetit të ri.
“Rugova bënte thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve shekullore në mes popujve përherë të hasmuar të Ballkanit Perëndimor. Ai ishte zëri i vetëm human në tërë atë egërsi, zëri që e tregonte rrugën e jetës e të paqes për të gjithë”.
“Prishtina sot po e inauguron shtatoren e ikonës së pavarësisë, Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, themeluesit dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njeriut që i priu Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme në ditët më të rënda të historisë së saj”.
“Rugova ishte prijës largpamës, një politikan që betejën politike e bënte duke shpalosur pikëpamjet e tij. Ai ishte nismëtar i simboleve tona kombëtare. Ai propozoi flamurin e Dardanisë si shenjë e pranisë iliro-arbërore në këto treva. Ai natyrshëm afirmonte vetë shpirtin e Kosovës”, tha Mustafa
Presidentja Atifete Jahjaga tha se sot është ditë historike për Kosovën.
Jahjaga tha se Kosova e kishte fatin dhe është krenare që konceptin e lirisë dhe të pavarësisë së saj e ndërtoi intelektuali i përmasave europiane, Dr. Ibrahim Rugova.
“Nga sot, përjetësisht në këtë vend, në sheshin kryesor të Prishtinës, do të qëndrojë shtatorja e Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova si përmendore që na kujton gjithë veprimtarinë e këtij intelektuali, këtij veprimtari, këtij burrështetasi, këtij vizionari i cili besoi dhe ndërtoi platformën politike dhe shtetin tonë, Republikën e Kosovës”.
“Ne që sot po e ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike, e kemi shumë më lehtë sepse po e vazhdojmë rrugën që e ndërtuan të parët tanë, po e vazhdojmë programin që u bë themel i fortë i shtetit tonë”.
(Video: lajmi.net)