I Pafajshëm Jam

Lirak Çelaj nuk ndihet fajtor për humbjen e PDK’së në Prishtinë. Ai thotë se ishte i gatshëm pas 3 nëntorit të japë edhe dorëheqje nga pozita e Kryetarit, jo pse e ndiente veten fajtor për këtë rezultat, por për shkak të funksionit që ka si Kryetar Dege.

Lajme

26/11/2013 09:54

Kryetari i Degës së PDK’së në Prishtinë, Lirak Çelaj, është i gatshëm të japë llogari për rezultatin e dobët të partisë së tij në Prishtinë, sado që nuk ndjen që përgjegjësia është vetëm e tij.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Çelaj është shprehur se një spektër më i gjerë personash dhe organesh partiake janë përgjegjës për rezultatin e 3 nëntorit për PDK’në në Prishtinë, me të cilin Kandidati i PDK’së për Kryetar të Komunës, Agim Çeku nuk mundi ta mbërrijë garën e balotazhit, duke u radhitur në vendin e tretë.

“Nuk ndihem fajtor sepse shumica e vendimeve dhe hapave të marrë nuk kanë qenë të mitë”.

“Nuk pretendoj t’i ik përgjegjësisë si kryetar dege. Përgjegjësia shkon në përmasa më të gjëra, sepse i gjithë ky proces nuk ka qenë vendimi im e as i kryesisë së degës, por ka qenë i iniciuar nga niveli qendror, në fund i aprovuar prej degës”.

“Nëse do të duhej të kishte përgjegjësi, kjo do të duhej të shtrihej në një rreth më të gjerë. Nga niveli qendror deri te niveli më i ulët. Asnjë prej nesh nuk jemi ngritur ta kundërshtojmë këtë proces apo kandidaturën e Çekut. E them me plot përgjegjësi se Dega e Prishtinës nuk ka qenë asnjëherë më e mobilizuar se këtë herë. Të gjithë ishim të rreshtuar me të gjitha forcat prapa Agim Çekut”.

Lirak Çelaj, në vijim të intervistës për “Epoka e Re”, ka thënë se PDK është vonuar në caktimin e kandidatit për Kryetar të Komunës së Prishtinës e ky, sipas tij, ishte një prej faktorëve që ndikoi edhe në rezultat. Çelaj ka treguar se Agim Çeku nuk është adresa pse PDK’ja i ka humbur zgjedhjet në Prishtinë. Ai e ka lavdëruar Çekun.

“Z. Çeku ka qenë kandidat shumë serioz. Po të kishte dalë disa muaj më herët rezultati do të ishte shumë më i mirë”.

Pavarësisht se PDK’ja nuk arriti ta fitojë pushtetin në kryeqytet, Çelaj thotë se kanë humbur një betejë, por jo edhe luftën. “Gara për Prishtinën vazhdon”.

Çelaj ka thënë se Dega e PDK-së në Prishtinë nuk do të mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve, as Isa Mustafën dhe as Shpend Ahmetin për Kryetar të Kryeqytetit. Ai ka thënë se PDK do të jetë neutrale.

“Nuk do t’ia mbajmë krahun asnjë subjekti politik. Konsiderojmë se të dy kandidatët nuk janë ata që do të mund ta bëjnë këtë ndryshim, të cilin e kemi kërkuar. Mendojmë se PDK-ja është ajo që ka forcën dhe kapacitetin për ta ndryshuar Prishtinën. Meqë nuk e morëm mbështetjen e qytetarëve, do të mbesim neutralë. Natyrisht se do ta respektojmë çdo vendim që jep votuesi i Prishtinës. Anëtarët tanë janë të lirë të përkrahin cilindo kandidat që atyre ua merr mendja”.