I mori apo jo ryshfet 400 mijë euro gjykatësi i EULEX-it

Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, gazetari Vehbi Kajtazi, që është edhe autor i shkrimeve që zbulojnë aferat korruptive brenda misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, ka rrëfyer për zbulimet që ai ka bërë nga hulumtimi i tij i gjatë për këtë rast.

Lajme

28/10/2014 22:04

Në një moment, Kajtazi ka treguar se me prokuroren Maria Bamieh nuk është takuar asnjëherë më herët, por vetëm një ditë më parë gjatë një takimi në “Mini-Max” në Prishtinë, transmeton Koha.net.

Por, ai thotë se në momentin që është afruar tek vendi i takimit me tashmë ish-prokuroren e EULEX-it, aty ka parë të kenë mbërritur forca të mëdha të EULEX-it për çka Kajtazi  dyshon se telefoni i Bamieh ka qenë i përgjuar.

Shpend Kursani, opinionist, tha se kërcënimi që gazetari Kajtazi ka pranuar nga zyrtarë të EULEX-it ngjasojnë me kërcënimet që bëhet nga vendorët.

Më tej, ai shtroi se prokurorët ndërkombëtarë e kanë të vështirë të sjellin rend dhe ligj në një kulturë të huaj. Sipas tij, në EULEX ka gjykatës që kanë vendosur të bëhen si gjykatësit vendorë, të cilët nuk merren me raste të rënda dhe marrin ryshfet, raporton Koha.net.

“Korruptimi më i keq se ryshfeti është mbyllja e syve para krimit”, tha Kursani.

Ndërkaq, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Brukseli është paraqitur Augustin Palokaj, i cili ka thënë se për Brukselin e gjithë kjo aferë është e pakëndshme.

Zyrtarët evropianë në Bruksel e shohin si diçka të pakëndshme, por ka interesim të jashtëzakonshëm nga mediat e jashtme, media të mëdha evropiane që sot e kanë cituar Kohën Ditore.

Edhe në Bruksel pohojnë se hetimet janë individuale dhe jo për misionin. Askush nuk pohon se i tërë EULEX-i është i korruptuar.

“Ajo që është e papranueshme në Bruksel është tentimi i ushtrimit të presionit ndaj mediave. BE shpreh keqardhje nëse ka pasur raste të tilla”, tha Palokaj.

Ramë Gashi, avokat i gjykatësit të EULEX-it, Francesco Fiori, tha se mund të pajtohet me Vehbi Kajtazin në dy raste.

“Një, se nuk ka fakte. Dhe dy, pajtohem se EULEX-i ka qenë shumë i mbyllur për këto gjëra. Ai që tregon diçka duhet të ketë kujdes për të paraqitur një fakt relevant për të dëshmuar se po paraqet diçka. Klienti im refuzon në mënyrë kategorike të ketë marrë mitë”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas dosjes së EULEX-it, të botuar në “Koha Ditore”, gjykatësi Fiori dyshohet të ketë marrë mbi 400 mijë euro mitë.

Më tej, Gashi ka mbrojtur edhe veprimin e ministrit në detyrë të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pse ka lejuar një person të futej për vizitë në burgun ku ndodhej Ilir Tolaj. Gashi ka thënë se Kuçi udhëheq dikasteret e drejtësisë dhe ka të drejtë të merr vendime të tilla.