I lirë, por prapë i akuzuar: Logopedi Fazliu ua lë seancat praktikantëve
Iljasa Fazliu, logoped dhe defektolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është në fokus të një stuhie kritikash për sjelljen e tij. Prindër dhe praktikantë ankohen për mungesat e tij të shpeshta në punë, moskryerjen e detyrave dhe trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve dhe kolegëve. Situata merr një drejtim edhe më serioz, kur kihet…

Lajme
Iljasa Fazliu, logoped dhe defektolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është në fokus të një stuhie kritikash për sjelljen e tij.
Prindër dhe praktikantë ankohen për mungesat e tij të shpeshta në punë, moskryerjen e detyrave dhe trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve dhe kolegëve.
Situata merr një drejtim edhe më serioz, kur kihet parasysh se Fazliu, dy vjet më parë, u arrestua nën dyshimet për abuzim verbal të një pacienteje 3-vjeçare, por se më pas u lirua.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi logopedin për të diskutuar rreth ankesave kundër tij, por ai nuk u përgjigj – kërkoi që “pyetjet të drejtohen në institucionin përgjegjës”, përkatësisht në Zyrën për Informim të QKUK-së.
Ndërkohë që udhëheqësit në këtë institucion i drejtojnë përgjegjësitë nga njëri-tjetri, prindërit e fëmijëve me probleme në të folur thonë se përparimi i tyre ka ngecur, në mungesë të përfshirjes së Fazliut.
“Mungesa në seanca”
Nëna e një djali 17 vjeç, me nevoja të veçanta, thotë se ka pasur përvojë të hidhur me logopedin Fazliu.
Ndonëse pacient i tiji, ajo thotë se djali i saj është kontrolluar vetëm një herë prej tij – “seancat e tjera i kanë zhvilluar praktikantët”.
Për gati një vit gjatë 2023-shit, atij i janë caktuar seanca trajtimi tri herë në javë.
“Në vend se të ishte i pranishëm në to, Fazliu shihej duke pirë duhan para objektit”, thotë kjo bashkëbiseduese në kushte anonimiteti.
…i fliste kur e shihte në korridor, por mjeku nuk ia kthente dhe kjo nisi të ndikonte keq te djali”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se është drejtuar te Fazliu “me rekomandimin e të afërmve” dhe se është zhgënjyer.
Tregon se djali i saj nuk ka pasur asnjë përparim, por, përkundrazi, “ka treguar vazhdimisht shenja shqetësimi”.
“Ai është i dashur dhe i fliste kur e shihte në korridor, por mjeku nuk ia kthente dhe kjo nisi të ndikonte keq te djali”, thotë e ëma.
Në tre muajt e fundit të trajtimit, ajo thotë se djalin e ka përcjellë një logopede tjetër dhe se me të ka kaluar “jashtëzakonisht mirë”.
Ajo shton se nuk ka qenë e informuar se praktikantët nuk kanë të drejtë të ofrojnë shërbime logopedike pa mbikëqyrjen e specialistit të fushës.
Çka thuhet në ligj?
Ligji për Shëndetësinë në Kosovë përcakton se vetëm profesionistët e licencuar mund të ofrojnë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur.
Në rregulloren e brendshme të Shërbimit të Logopedisë thuhet se praktikantët, që janë studentë të mjekësisë, mund të angazhohen në trajtimin e rasteve “gjithmonë nën mbikëqyrjen e logopedit të caktuar”.
Shërbimi i Logopedisë funksionon në kuadër të Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL), në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi Shërbimin e Logopedisë më 29 nëntor, kur qëndroi për disa orë pranë zyrës së Fazliut dhe pa se seancat i zhvillonin praktikantët – mjeku nuk ishte i pranishëm.
Duke iu përgjigjur shkurtimisht pyetjes së REL-it se ku është logopedi, njëra prej praktikanteve tha se “i doli një punë dhe shkoi në Gjilan, porse zakonisht është këtu”.
Nëna e një fëmije 11 vjeç, që po e priste ta përfundonte seancën, tha se logopedi jo gjithmonë merr pjesë në trajtim.
“Unë nuk e di qysh duhet. Stafi i qendrës e di”, u shpreh ajo.
…logopedi nuk i njeh fëmijët që trajtohen në zyrën e tij”.
Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Fazliu ka kërkuar leje më 29 nëntor, për të shkuar në Prokurorinë në Gjilan – qyteti prej nga vjen – për të marrë një dokument në lidhje me një lëndë, të cilën e ka prezantuar te drejtori.
Prokuroria në Gjilan nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Fazliu ka marrë ndonjë dokument në atë datë.
Ankesa edhe nga praktikantët
Por, për mungesat e vazhdueshme të logopedit në punë flasin edhe praktikantët në Shërbimin e Logopedisë.
Disa prej tyre, madje, kanë dorëzuar ankesa në drejtori.
Radio Evropa e Lirë i pa disa dhe ato ishin të adresuara te Behramaj dhe tek ushtruesja e detyrës së shefes së Shërbimit të Logopedisë, Zahide Uka-Rraci.
Në disa thuhej se “logopedi nuk i njeh fëmijët që trajtohen në zyrën e tij”.
Në të tjera përmenden: fyerje, ofendime, bërtitje, presion psikologjik dhe kërcënime për mosnënshkrimin e dokumenteve të nevojshme për përfundimin e praktikës.
Në kushte anonimiteti, një ish-praktikante tregon se i ka dërguar ankesë drejtorit të ORL-së, Behramaj.
“Më kanë thënë se nëse sillet edhe një herë në këtë mënyrë, do të marrim masa. Nuk e di se çka ka ndodhur, sepse nuk jam më aty”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Si rrjedhojë e ankesave që kemi pranuar, unë i kam shqiptuar vërejtje me shkrim [logopedit Fazliu]”
I pyetur në lidhje me këto ankesa, Behramaj nuk pranon se ka marrë ndonjë të tillë për ndonjë logoped.
Duke iu përgjigjur insistimit të REL-it, ai thotë se Shërbimi i Logopedisë ka ushtruese detyre të shefes Zahide Uka-Rracin, e cila merret me organizimin e Logopedisë.
Uka-Rraci, në anën tjetër, pranon se ka pasur ankesa zyrtare dhe thotë se secilën e ka adresuar tek udhëheqja e klinikës.
“Si rrjedhojë e ankesave që kemi pranuar, unë i kam shqiptuar vërejtje me shkrim [logopedit Fazliu] me datën 07.08.2023”, tha Uka-Rraci në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
“Por, edhe pas reagimit, tërheqjes së vërejtjes me gojë dhe me shkrim, kolegu në fjalë nuk ka reflektuar”, sipas saj.
Rasti i Iljasa Fazliut
Logopedi Iljasa Fazliu u arrestua më 27 nëntor të vitit 2022, pasi në mediat vendore u publikua një audio-incizim nga ordinanca e tij private në Gjilan, ku ai dëgjohej duke e fyer dhe sharë një paciente 3-vjeçare me autizëm.
Ai u akuzua për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.
Gjykata Themelore në Gjilan ia hoqi masën e paraburgimit më 19 dhjetor të vitit 2022 dhe ia zëvendësoi atë me masën e ndalimit për t’iu afruar personave të caktuar, me të cilët kishte pasur përleshje fizike për rastin e pacientes 3-vjeçare.
Në QKUK, ai u hoq nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të Shërbimit të Logopedisë, por, përkundër akuzës, nuk u shkarkua dhe vazhdoi punën si logoped.
Dhe, më 30 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Gjilanit e liroi atë nga akuza për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.
Kundër këtij vendimi reaguan Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, e cila, më 21 nëntor, organizoi protestë para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, duke kërkuar dënimin e logopedit.
Sipas kësaj qendre, vendimi për ta liruar nga akuza “është goditje e rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë”.
Organizata u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që ta rishikojnë këtë rast me urgjencë dhe të sigurojnë një proces të drejtë dhe transparent.
Prokuroria Themelore e Gjilanit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se po atë ditë – më 21 nëntor – ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Derisa ende nuk ka një vendim përfundimtar nga sistemi i drejtësisë, Radio Evropa e Lirë mori vesh prej burimeve të saj se drejtori i ORL-së, Behramaj, i është drejtuar me një kërkesë QKUK-së dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ta rikthyer Fazliun në pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të Shërbimit të Logopodisë.
Në këtë institucion punojnë katër logopedë që trajtojnë fëmijë me probleme në të folur. Në kabinetet e tyre janë po ashtu edhe katër praktikantë.
Shërbimet e tyre, pacientët i kanë falas./REL