I kthyeri nga Siria tregon për imamin që e dërgoi në luftë dhe trajnimet që mori atje

Në një dëshmi jashtë betimit para gjykatës, shqiptari i kthyer nga Siria Edmond Shpataraku ka rënduar pozitën e një prej 9 imamëve të vënë në akuzë për rekrutimin e luftëtarëve për xhihad (luftë në emër të Allahut).

Lajme

02/06/2015 12:31

Në seancën e mbajtur këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Shpataraku ka deklaruar se është shoqëruar për në Siri nga Gerti Pashja, imami i Xhamisë së Elbasanit, aty ku besimtari mysliman është njohur me hoxhën.

Shpataraku tregoi para trupës gjyqësore se ka qenë dy herë në Siri ku është trajnuar për luftë për gjashtë muaj. “E ndjeva si detyrim të ndihmoja vëllezërit myslimanë”, tha ai.

Ai ka refuzuar të bëjë betimin për vërtetësinë e dëshmisë së tij para gjykatës duke thënë se betohet vetëm para Allahut.

Gjyqi ndaj imamëve të vetëshpallur të vënë nën akuzë për rekrutimin e luftëtarëve drejt Sirisë ka qenë i vështirë për shkak se nuk pranojnë të mbrohen nga avokatë. “Na mbron Allahu”, kanë deklaruar ata në seancat e mëparshme, raportojnë mediat në Shqipëri.