I jep fund karrierës gjyqtari i njohur spanjoll

15:11 | 12 Qershor 2019

Fishkëllima e përfundimit të ndeshjes mes Portugalisë dhe Holandës në finalen e Ligës së Kombeve, ishte edhe vendimi i fundit i Undiano Mallencos si gjyqtar profesionist.

19 vite si refer i licensuar dhe 30 në total qysh kur kishte nisur të merrej me këtë profesion, Undiano Mallenco do të mbahet mend si një nga gjyqtarët më strikt që ka parë bota e futbollit modern.

I njohur për ndëshkimin e shpeshtë të lojtarëve që e bënte pothuajse çdo ndeshje, Mallenco u zgjodh dy herë si gjyqtari më i mirë në La Liga, duke qenë protagonist në shumicën e “El Classico” ku ka pasur edhe vendime kontraverse, përcjell lajmi.net.

Në dy vitet e fundit, bashkë me Mateo Lahoz ishin cak të shumë kritikave për referim të dobët në ndeshjet kampionale, por që kjo nuk ndikoi aspak që ta vazhdonte avazin e tij të kartonave.

Tashmë me flokë të thinjura, Mallenco këtë sezon e kishte nderin të referonte në dy finale, atë të Kupës së Mbretit dhe në finalen e Ligës së Kombeve, duke e përfunduar me sukses një cikel prej dy dekadash në arenën evropiane dhe botërore.

Mallenco do t’i bashkohet kryesisë së shoqatës së gjyqtarëve në La Liga duke filluar nga sezoni i tjetër. /Lajmi.net/