I gatshëm t’i përgjigjem Prokurorisë

Gazmend Muhaxheri nuk dëshiron të komentojë kërkesën që Ramush Haradinaj ka bërë për të në Prokurori. Por, shprehet i gatshëm t’i përgjigjet Prokurorisë. Thotë se titulli i intervistës për të cilën po flitet është keqinterpretuar.

Lajme

10/12/2013 18:12

Kryetari i ri i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është i gatshëm t’i përgjigjet Prokurorisë, nëse një gjë e tillë kërkohet prej tij.

Një ditë më herët Prokuroria e Kosovës njoftoi se ka pranuar një kërkesë nga avokati Arianit Koci, me autorizim të liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj, për siç thuhet  “verifikimin e pohimeve të Gazmend Muhaxherit”, lidhur me intervistën e dhënë në portalin elektronik ‘Gazeta Express’, më datën 25 Nëntor 2013.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi, ka bërë të ditur se rasti  është duke u shqyrtuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Gazmend Muhaxheri deklaroi të martën për lajmi.net se titulli i intervistës së tij është keqinterpretuar.

Sidoqoftë, ai u shpreh i gatshëm t’i përgjigjet Prokurorisë për këtë çështje.

“Po e shoh se po vazhdon fushata e tyre zgjedhore”.

“Jam i gatshëm për Prokurorin. Asgjë tjetër s’kam”.

“Titulli është keqinterpretuar. Por, Prokurori nëse ka diçka, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem. Kaq është”.

Por, për çfarë pohimesh bëhet fjalë saktësisht?

Portali “Gazeta Express”, me 25 Nëntor, në ora 19:03 minuta, ka botuar në ballinë një intervistë me atëherë kandidatin e LDK’së për Kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri me titull: “Intervistë ekskluzive me Gazmend Muhaxherin: Njerëzit e AAK’së e vranë Tahir Zemajn, Sabahate Tolajn, Isuf Haklajn…”.

Ndaj kësaj interviste kishte reaguar një ditë më vonë, në një takim me veteranët e luftës në Pejë, Ramush Haradinaj, duke thënë se më nuk do të duroj fyerje dhe shpifje ndaj tij. Aty Haradinaj kishte paralajmëruar se do të ndjek rrugën ligjore ndaj Muhaxherit të LDK’së.

Dje, ndërkaq, Haradinaj i drejtoi një letër të hapur Kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi, përmes të cilës e pyeti atë nëse a e ndjen veten të obliguar të nisë hetimet kur një person e akuzon personin tjetër për vrasje.

Haradinaj, në letrën e tij, kishte shtruar disa pyetje, të cilat ai i ka quajtur fundamentale për një shoqëri ku sundon ligji, e të cilat duket se ndërlidhen ekskluzivisht me akuzat e fundit që janë bërë në adresë të tij dhe partisë që udhëheq gjatë fushatës zgjedhore.

Pas orë pas publikimit të letrës së Haradinajt në media, reagoi Prokuroria e cila njoftoi se po merret me rastin.

Kryetari i ri i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë për lajmi.net se beson se Prokuroria s’do të bjerë në presionet politike.

“Prokuroria e di se cila është puna e saj, besoj që nuk duhet të bjerë në presione politike”.

“Është institucion i pavarur, nëse ka diçka për të hetuar, e heton”.