I gatshëm për të vazhduar

Fatmir Limaj, pak orë pasi është liruar nga akuzat për krime lufte, në një mesazh të postuar në Facebook, ka falënderuar për mbështetjen që i është dhënë. E ka quajtur “fitore të përbashkët” dhe ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të punojë.

Lajme

18/09/2013 06:32

Disa orë pasi Gjykata vendosi për lirimin e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke i shpallur ata të pafajshëm për veprat që u ngarkoheshin lidhur me Rastin “Kleçka”, Fatmir Limaj  ka dërguar një mesazh.

Në faqen e tij në Facebook, ai ka falënderuar për mbështetjen që i është dhënë dhe ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të punojë.

“Ju uroj të gjithëve këtë fitore të përbashkët. Tani, personalisht, ju falënderoj për gjithë mbështetjen e vazhdueshme nga ju, në momentet më të vështira dhe sfiduese për mua.”

“Unë jam i gatshëm që bashkë me ju të vazhdojmë të punojmë për të mirën e vendit tonë, sikur deri më tani.”

“Jam i bindur që do ta kem mbështetjen tuaj në rrugën tonë së bashku, për një të nesërme më të mirë për fëmijët dhe atdheun tonë.”

“Me respektin dhe mirënjohjen më të thellë për ju dhe familjet tuaja. I juaji, Fatmir Limaj.”