I dyshuari në rastin ‘Stenta’, kandidat për drejtor në Spitalin e Gjilanit

Besim Guda, ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit në Spitalin e Gjilanit, synon të marrë edhe një mandat si udhëheqës i këtij spitali, ndonëse ai tashmë është njëri nga të dyshuarit në rastin “Stenta”.

Lajme

04/02/2016 08:07

Guda ka konfirmuar për “Zërin” se ka konkurruar për pozitën e drejtorit të Spitalit të Gjilanit, pasi siç ka thënë ai, nuk e ndjen veten fajtor për atë që dyshohet nga Prokuroria.

“Po, unë kam konkurruar për drejtor të Spitalit të Gjilanit, para se me u ditë për këtë punë. Konkursi është mbyllë qe një javë”, ka thënë Besim Guda, u.d. aktual i drejtorit në Spitalin e Gjilanit, përmes një bisede telefonike.

Guda: Nuk jam fajtor

I pyetur nëse do të ndikojë në përzgjedhjen e tij fakti se ai është nën hetime, Guda ka thënë se nuk ka arsye e as nuk beson që do të ndikojë kjo në përzgjedhjen e tij.

“Unë nuk besoj që kjo ka të bëjë me neve. Unë nuk besoj hiç në këtë gjë. Por, konkursi është konkurs. Unë jam ushtrues detyre deri në rezultatet e konkursit. Bon vaki e bëjnë tjetërkënd”, ka thënë Guda.