I dyfishohet dënimin për një rast dhunimi

Ndaj një personi i cili ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale, dhunim në tentaiv, i është dyfishuar vuajtja e dënimit.

Lajme

10/07/2014 21:46

Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit, i përberë nga tre gjyqtarë vendorë, e ka ndryshuar aktgjykimin – PKR.22/2013, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarit S. Syla nga 2 në 4 vjet burgim.

S. Syla ishte shpallur fajtor në fillim të këtij viti për shkak të veprave penal – dhunim në tentativë, nga neni 193 lidhur me nenin 20 të KPK-së dhe vp- vrasje e rëndë në tentativë sipas nenit 147 lidhur me nenin 20 të KPK-së, për çka ishte dënuar më një dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim (2 vjet për veprën e parë, 4 vjet për të dytën) .

Sa i përket veprës penale – vrasje e rëndë në tentativë, Gjykata e Apelit vendosi ta kthej çështjen në rigjykim, duke sugjeruar Gjykatën Themelore që t’i eliminojë një sërë kundërthëniesh të cekura në aktgjykim, t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat për zbardhjen e plotë dhe të drejtë të fakteve si dhe të njëjtat t’i vlerësojë sipas nenit 387 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata e Apelit po ashtu urdhëroi që të akuzuarit t’i vazhdohet paraburgimi.

S. Syla më datë 16.02.2012, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Nekovc, komuna e Drenasit, ku punonte si pastrues, ka tentuar që më anë të përdorimit të dhunës të kryej marrëdhënie seksuale më të dëmtuarën S. R, po ashtu punëtore a ambulancës. Më këtë rast e dëmtuara kishte marrë plagë të rënda në fytyrë, transmeton Koha.net.