I caktohet masa e paraburgimit personin që kërcënoi e sulmoi prokurorin Avdiu

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka vendosur masën e paraburgimit për të dyshuarin M.D, i cili ka kërcënuar dhe sulmuar prokurorin, Valdet Avdiu.

Lajme

03/04/2019 18:49

Gjatë ditës së sotme, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Valdet Avdiu, ishte kërcënuar dhe sulmuar nga një person, shkruan lajmi.net.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur brenda objektit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, ku pas përfundimit të seancës, M.D, e kishte ndjekur prokurorin Avdiu duke e fyer e kërcënuar.

Prokurori vazhdimisht e kishte paralajmëruar se mund të arrestohej për veprime të tilla megjithatë i dyshuari M.D kishte vazhduar me kërcënime, dhe e kishte detyruar prokurorin Avdiu, që të ikte dhe të mbyllte derën e zyrës me çelës, pasi po ndiqej nga M.D.

Njoftimi i plotë i Gjykatës pa ndërhyrje:

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit M.D. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri dyshohet se më 2 prill 2019 në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, pas përfundimit të seancës gjyqësore në të cilën ishte në cilësinë e të dëmtuarit, me qëllim frikësimi ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Prokurorin e shtetit Valdet Avdiu, i cili posa largohet nga salla e gjykimit dhe del në korridor në atë moment i pandehuri fillimisht fillon ta ofendoj gjykatën dhe prokurorinë, prokurori ia tërheq vërejtjen për sjelljen e tij, ndërsa i njëjti vazhdon me sjellje dhe fjalë arrogante, prokurori vazhdon deri te shkallët por i pandehuri përsëri i është ofruar duke vazhduar të ngjitet shkallëve për katin e tretë, atëherë i njëjti fillon ta shaj dhe ofendoj, i dëmtuari – prokurori përsëri ia tërheq vërejtjen se mundet të arrestohet dhe në atë moment i pandehuri i drejtohet me fjalë kërcënuese dhe vërsulet në drejtim të tij duke vrapuar, i dëmtuari vrapon për në katin e tretë dhe me të hyrë në korridor e mbyll derën e korridorit me çelës me qëllim të mbrohet nga i pandehuri, i pandehuri tenton ta hap me forcë derën por nuk arrin , me çka tek i dëmtuari – prokurori i shtetit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Lajmi.net/