I akuzuari pranon fajin, thotë se pendohet se përkrahu ISIS-in dhe postoi foto kërcënuese ndaj Haradinajt

I akuzuari Bledar Elshani, e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat se ka postuar fotografi me përmbajtje kërcënuese për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe se ka bërë propagandë për organizatën terroriste ISIS.

Lajme

12/09/2019 11:39

Këtë pranim të fajësisë ai e ka bërë në seancën e së enjtes, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi prokurori special Afrim Shefkiu, e ka lexuar edhe njëherë aktakuzën dhe pasi i akuzuari është konsultuar me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Isak Hoxha, ka deklaruar se kishte vendosur të pranojë fajësinë për të dyja veprat penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Mbrojtësi i tij, avokati Hoxha, ka kërkuar nga gjykata që të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Elshani, pasi sipas avokatit, ai ishte konsultuar mjaftueshëm me të ishte njoftuar për benefitet dhe pasojat e pranimit ë fajësisë, dhe për shkak të mos zvarritjes së këtij procesi gjyqësor, ai kishte vendosur të pranojë fajësinë.

Këtë pranim të fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori special Shefkiu, që sipas tij, pranimi fajësisë nga ana e të akuzuarit Elshani ishte në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, dhe në përputhje të plotë me provat materiale si në aktakuzë.

Trupit gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Shadije Gërguri, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Elshani, pasi sipas saj, ky pranim ishte vullnetar dhe si rezultat i konsultave me mbrojtësin e tij, i akuzuari ishte i vetëdijshëm për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, si dhe ky pranim ishte mbështetur në faktet e aktakuzës dhe materialet e siguruara nga ana e prokurorisë.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, palët kanë dhënë edhe fjalën përfundimtare.

Prokurori Shefkiu ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të gjykohet me vendim meritor sipas Kodit Penal, ndërsa si rrethanë renduese ai ka përmendur rrezikshmërinë dhe peshën e veprave penale, shqetësimin që u ishte shkaktuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, për armën e ftoftë me gjemba që iu ishte gjetur të akuzuarit.

Pos rrethanave rënduese, prokurori Shefkiu si rrethanë lehtësuese ka përmendur pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Isak Hoxha ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit Elshani, t’i shqiptohet një dënim nën minimumin ligjor, pasi sipas tij, ai ishte i moshës së re, kishte shkollim jo të larë, asnjëherë nuk kishte rënë ndesh me ligjin dhe se kishte gjendje jo të mirë ekonomike.

Po ashtu, ai ka kërkuar që Elshanit t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kurse, i akuzuari Elshani në fjalën përfundimtare ka thënë se pendohet thellë për të dyja veprat penale.

Gjykatësja Gërguri, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 13 shtator 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 korrik 2019, i akuzuari Elshani kishte mohuar kryerjen e veprave penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bledar Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e “Shtetit Islamik”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar 2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrim “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, Elshani, ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së.

Gjithashtu, ai akuzohet se më 11 janar 2019, në Drenas, në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bartur në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.

Me këto veprime Elshani, akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, kallëzimi penal kundër të pandehurit Bledar Elshanit ishte ngritur nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës.Sipas kallëzimit penal, e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizojë strukturat themelore politike e Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Prishtinë, kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit ku i ishte sekuestruar një “Iphone 6”, pasi që i ishte gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 janar të këtij viti, personit në fjalë i kishte caktuar masën e paraburgimit. /BetimipërDrejtësi