Hyseni: Po lobojmë për të marrë vota për anëtarësim në Interpol
Anëtarësimi i Kosovës si anëtare me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, siç janë Interpoli dhe Europoli, mbetet akoma një nga sfidat kryesore.

Lajme
Inkuadrimi i Policisë së Kosovës në këta mekanizma do ta bënte më të lehtë dhe më të suksesshme punën dhe përpjekjet e saj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, trafikimit me njerëz, kontrabandës dhe dukurive tjera negative që shtrihen përtej kufijve nacional.
Një nga objektivat strategjikë të Policisë së Kosovës për vitin 2015 është anëtarësimi në Interpol dhe institucione tjera ndërkombëtare të sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka bërë të ditur për KosovaPress se vazhdimisht janë duke ndërtuar përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe gatishmëria e tyre për ta realizuar këtë është e pakursyer dhe e përhershme.
Ministri Hyseni ka theksuar se në të gjitha takimet që i ka zhvilluar kohëve të fundit, një nga pikat kyçe ka qenë çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Ai thotë se për këtë janë duke u bërë përgatitje dhe se do të vendosin në momentin e duhur për të aplikuar, por, sipas tij para aplikimit duhet të sigurohen që të kenë votat e mjaftueshme, pasi kjo është paksa më e ndërlikuar.
Por Hyseni thotë se janë duke punuar intensivisht, si dhe duke lobuar që të kenë përkrahje për anëtarësim, tha ai.
Policia e Kosovës ka bashkëpunim me zyrtarët e Interpolit, por jo drejtpërdrejt por nëpërmes mekanizmave ndërkombëtarë.
Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe po punohet në këtë drejtim pasi ky është njëri nga objektivat kryesorë për këtë vit.
“Inkuadrimi në organizatat ndërkombëtare do ta bënte punën më të lehtë për Policinë e Kosovës dhe kjo është një gjë shumë e nevojshme. Ne e kemi si objektiv strategjik që të qasemi në mekanizmat ndërkombëtarë sepse është e nevojshme që të prodhojmë siguri jo vetëm në Kosovë por edhe në shtetet tjera më të zhvilluara”, ka thënë Kelani.
Sipas tij në disa raste të bashkëpunimit me Interpolin është dëshmuar se Kosova mund të jetë pjesë e këtyre mekanizmave të sigurisë.
“Në raste të përbashkëta me faktorin ndërkombëtar të vendeve të ndryshme, PK-ja ka dëshmuar se ka kapacitete dhe profesionalizëm të lartë që të jetë pjesë e këtyre mekanizmave”, tha Kelani.
Por sipas ekspertit të sigurisë dhe deputetit nga LDK-ja, Nuredin Ibishi, Kosova fillimisht duhet të jetë pjesë e OKB-së për të qenë edhe pjesë e Interpolit, dhe ky është një kusht. Mirëpo, sipas tij, Kosova ka zyrën për bashkëpunim me Interpolin që funksion qysh nga koha e UNMIK-ut, ku tani është si pjesë e veçantë dhe ka një bashkëpunim të mirëfilltë dhe funksional.
“Normalisht, nuk kemi të drejtë, nuk jemi anëtar fuqiplotë, ajo na pengon shumë, për arsye se ka probleme me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, është në rajon Bosnja dhe Hercegovina, me të cilën e dini që kur ka të bëjë me flet-arreste kemi probleme të mëdha. Mirëpo, besoj që së shpejti do të rregullohet edhe kjo çështje, qoftë edhe në asistim të asociimit si pjesë e Interpolit”, tha ai.
Ndërsa, Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se policia ka kapacitete të mjaftueshme për inkuadrim në këta mekanizma, por mungon gatishmëria dhe qasja e duhur e Qeverisë pasi, sipas tij, kjo do duhej të ndodhte shumë më herët.
“I shoh dy anë të medaljes së kësaj, sa i përket gatishmërisë së sektorit të sigurisë, pra të policisë, mendoj që Kosova ka qenë e gatshme dhe është e gatshme por mbi të gjitha edhe ka nevojë që të jetë anëtare e këtyre mekanizmave ndërkombëtar, e theksoj ka shumë nevojë dhe nevoja është reciproke, jo vetëm ne kemi nevojë por edhe mekanizmat ndërkombëtar të policisë kanë nevojë për punën dhe kontributin e policisë. Pra, policia jonë do të duhej edhe të merrte edhe të jepte, pse jo edhe më shumë të jepte sesa të merrte nga siguria në përgjithësi”, tha ai.
Por, sipas Selimit, qasja e Qeverisë karshi kësaj çështje ka qenë shumë jo serioze deri më tani për shkak se nuk ka bërë as punën më të vogël që Kosova ose Policia të jetë anëtare e këtyre mekanizmave.
UNMIK është i vetmi autoritet në Kosovë për të lëshuar mandat për kërkim-arrest ndërkombëtar.
Procedurat për të kërkuarit në emër të Kosovës i bën fillimisht gjykata, e cila paraqet kërkesë për urdhër arrest në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e dërgon kërkesën tek organet e EULEX-it, ku më pas UNMIK-u, në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse të Interpolit në Prishtinë, mund ta publikojë rastin për kërkim ndërkombëtar.