Hyseni: Në rajonin e Gjakovës e Deçanit nuk ka të radikalizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka qëndruar në Deçan dhe në Gjakovë, ku ka folur për çështjet e sigurisë dhe ekstremizmin fetar.

Lajme

12/08/2015 16:04

Në një njoftim për media, thuhet se ministri Hyseni është shprehur i kënaqur me mosangazhimin e banorëve të kësaj ane në grupe radikale.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Deçanit dhe Gjakovës.

Fillimisht, ministri Hyseni u prit nga kryetari i komunës së Deçanit, z. Rasim Selmanaj, ku u diskutua lidhur me çështjen e sigurisë në përgjithësi në komunën e Deçanit, përfshirë radikalizmin e shoqërisë, migrimin ilegal dhe çështjet e ndërhyrjes emergjente nga shërbimi i zjarrfikësve.

Kryetari i Deçanit, z. Rasim Selmanaj, bëri të ditur se kryesisht nuk ka ndonjë shqetësim për deçanasit lidhur me çështjen e sigurisë.

Sa i përket temës lidhur me ekstremizmin fetar, në këtë takim, u tha se në përgjithësi banorët e kësaj ane nuk janë të radikalizuar.

Ministri Skender Hyseni gjithashtu takoi edhe përfaqësuesit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të kësaj komune.

Pas vizitës në Deçan, ministri Hyseni vazhdoi vizitën e tij për në komunën e Gjakovës, ku u prit nga kryetarja e kësaj komunë, znj. Mimoza Kusari Lila.

Gjithashtu, edhe në këtë komunë u vlerësua se gjendja e sigurisë është e qetë. Të dy palët u dakorduan që të kenë një bashkëpunim edhe me të ngushtë në mes të komunës së Gjakovës dhe institucioneve të sigurisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë për qytetarët.

“Rreziku më i madh që i kanoset këtij vendi është injorimi i problemeve dhe përpjekja për t’i kamufluar ato. Duhet më shumë punë nga të gjithë ne, në mënyrë që të konsolidojmë shtetin”, deklaroi ministri Hyseni në këtë takim.

Gjatë vizitës në Gjakovë, ministri Hyseni u takua me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku nga përfaqësuesit e këtij Këshilli kërkoi që të jenë sa më të vëmendshëm në adresimin e shqetësimeve të ndryshme që mund të kenë komunitetet e ndryshme në këtë komunë, duke pohuar së më mirë është të parandalohen sesa të luftohen pasojat.