Hyseni: Kur shpërthen dhuna pastaj ajo bëhet e pakontrollueshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka thënë se shkelja e parë e protestuesve u bë me rastin e mosmarrjes së lejes nga policia për protestë.

Lajme

27/01/2015 23:58

Hyseni ka thënë në “Interaktiv” se ka qenë vet ai që e ka bërë me kohë një gjë të tillë, pra, ka siguruar përgatitjen për ta siguruar protestën, ngase, sipas tij, ajo është e drejtë e shenjtë dhe e garantuar me Kushtetutë.

Por, megjithëkëtë, ai tha se skenat që sot u panë në protestë nuk i duhen Kosovës dhe asnjë politikani në vend.

“Këto skena nuk i duhen Kosovës. Kjo nuk i duhet asnjë politikani të Kosovës. Protesta kishte agjendë të pastër politike”, vlerësoi ministri Hyseni.

 “Unë nuk ua uzuropoj të drejtën askujt që të ketë objektiva politikë, sepse është gjëja më e natyrshme të ketë objektiva të tillë”, shtoi ai.

Hyseni tha se policia e Kosovës ka marrë sot “shuplakë”, duke pranuar gjëra të ngurta nga protestuesit, që në fund fatkeqësisht të dyja palët përfunduan me numra të konsiderueshëm të të lënduarve.

Ministri pyeti se cila polici do të pranonte ultimatum të tillë (të hiqet barrikada), siç iu bë sot Policisë së Kosovës para Qeverisë.

“Policia ka pranuar, them kushtimisht, “shuplakë”, kemi një numër të madh të të lënduarve nga të dy anët fatkeqësisht”.

“Pse duhej të largohej policia nga aty.Cila është ajo polici në botë që do të pranonte ultimatume të tilla”.

“Kur shpërthen dhuna, ajo pastaj është e pakontrollueshme, sikur lumi i rrëmbyeshëm që rrjedh në teposhtëze. Ka shumë rëndësi se çfarë toni përdoret në protestë nga organizatorët, a është ton ngatërrues apo pajtues”, tha pos tjerash ministri Hyseni për emisionin Interaktiv të KTV.