Hyseni e Maxhuni dinë pak gjë për Kumanovën, nuk u informuan nga AKI

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të hënën raportuan para Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme

18/05/2015 11:01

Ministri Hyseni ka thënë para këtij komisioni se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasur kurrë asnjë informacion prej Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për ngjarjet që ndodhen ditë më parë në Komunave.

Pas përleshjes së armatosur në Kumanovë, ku mbetën të vrarë tetë policë të Maqedonisë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, disa prej tyre nga Kosova, ministri Hyseni kishte deklaruar se dinte shumëçka për këto zhvillime, porse siç kishte thënë ai, nuk mund të fliste ende për atë që kishte ndodhur.

Sot ministri Hyseni tha se as ai dhe as kryeministri Isa Mustafa nuk kanë qenë të informuar për Kumanovën dhe se Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka as numrin e saktë të shtetasve të Kosovës të përfshirë në përleshjen e armatosur atje.

“Nuk e kemi numrin e saktë të shtetasve të Kosovës që kanë qenë të përfshirë në këtë incident, sepse autoritetet në Maqedoni vazhdojnë të luajnë me numra. Po ashtu ende është e vështirë të konfirmohet se kush nga pjesëmarrësit është vrarë dhe kush nga ta është i burgosur”, ka thënë ministri Hyseni, raporton lajmi.net.

Hyseni ka thënë se pa i pasur të dhënat e mjekësisë ligjore, nuk do të kisha dëshirë t’i them asnjë familje se ky anëtarë iu është vrarë në Kumanovë gjatë përleshjes me policinë e Maqedonisë.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se ka shumë pak informacione për atë që ka ndodhur në Kumanovë.

Ai ka thënë se e vetmja informatë që Policia e Kosovës ka marrë, është verifikimi i identitetit të shtetasve kosovarë që policia e Maqedonisë iu ka bërë pjesëmarrësve në grupin e armatosur.

Edhe Maxhuni ka thënë se nuk ka qenë i informuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës për atë që ka ndodhur në Kumanovë, dhe se ashtu sikurse ministri Hyseni, ka thënë se nuk mund të konfirmojë vdekjen e askujt derisa autoritetet maqedonase nuk lëshojnë certifikatat e vdekjes të ndonjërit prej pjesëmarrësve në grupin e armatosur.

Lidhur me bastisjet që janë bërë nëpër shtëpitë e të dyshuarve kosovarë që kanë marrë pjesë në përleshjen e armatosur në Kumanovë, shefi i Përgjithshëm i Policisë ka thënë se “bastisja është ëbrë me vendim të prokurorisë”. /lajmi.net/

YouTube player