Hyseni: Albin Kurti u nxitua kur e propozoi Vjosa Osmanin për kryeparlamentare

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni ka komentuar zhvillimet e fundit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së në kuadër të arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Lajme

11/11/2019 21:14

Hyseni, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se patjetër që emri i kryeministrit kalon formalisht nëpër zyrat e LDK-së.

“Nuk mund të ketë një marrëveshje pa aprovim të njërës apo tjetrës kryesi të emrit të kryeministrit”.

Ai ka thënë se “deklarata e Lutfi Hazirit ka qenë absolutisht korrekte kur ka thënë  se emri i kryeministrit kalon edhe nëpër zyrat e LDK-së”.

“Haziri nuk ka thënë asgjë për të ngjallur një reagim të tillë, përkundër ka thënë diçka që është e natyrshme dhe normale”, tha ai.

Hyseni ka thënë se megjithatë askush në LDK nuk e vë në dyshim se Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet dhe atyre u takon posti i kryeministrit.

Ish-deputeti i LDK-së ka thënë se edhe posti i presidentit patjetër që duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.

Hyseni ka thënë se Albin Kurti është nxituar tepër kur ka propozuar Vjosa Osmanin, pasi sipas tij ai nuk mund ta përcaktojë një marrëveshje politike në mënyrë unilaterale.

“Ai post përcaktohet në bisedime e negociata dhe në fund në nivelin më të lartë politik”, tha Hyseni.