Hysen Durmishi “e ngatërron” e-mailin zyrtar të Ministrisë me profilin e tij në Facebook: E akuzon zyrtarisht PDK-në

Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka publikur një listë tenderësh për të cilët pretendojnë se janë lëshuar jashtëligjshëm nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa lidhur me këtë nëpërmjet e-mailit zyrtar të MI-së ka reaguar zëvendësministri i kësaj ministrie, Hysen Durmishi.

Lajme

18/04/2022 17:22

E-maili zyrtar që mban titullin: “Përpjekja e PDK-së për të na bërë të dukemi si ajo vet është e dobët dhe e dështuar”, nuk duket të jetë praktikë institucionale e reagimeve për aktivitetin e opozitës karshi qeverisë, shkruan lajmi.net.

Për më tepër, e-maili i dërguar për mediat nga MI-ja, është marrë copy-paste nga profili i zëvendësministrit në Facebook, i papërpunuar në formë komunikate për media nga Ministria, ose i paqartësuar si reagim i Durmishit në Facebook.

Në këtë e-mail në ministrisë vazhdon reagimi me gjuhën e një subjekti politik, por jo të një institucioni, e aq më pak të një ministrie duke thënë se PDK-ja “nuk lanë asnjë të zezë pa e bërë”.

“Kjo mënyrë e qeverisjes së drejtë, si duket po ju pengon shumë atyre që nuk lanë asnjë të zezë pa e bërë. Asnjë shkelje të ligjit nuk e kemi bërë, e nuk e kemi asnjë aferë korruptive, e për më shumë kujdesemi në maksimum për paranë publike, gjë që është e pa kuptueshme për qeverisjet e kaluara e sidomos për PDK-në, që e zhvatën shtetin për vite me rradhë.”, thuhet në reagimin e MI-së.

“Është vetëm një kontratë e negociuar e lidhur nga MMPHI-ja, për projektin e “Zgjatjes së pistës së airoportit Adem Jashari”, projekt ky i ndërprerë për shkak të pandemisë. Sot pista e aeroportit është e zgjatur, janë instaluar mjete navigimi që aeroportin tonë e bëjnë më të sigurtin në Ballkan. Të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, me gabime të mëdha, në projekte, paramasa, pozicione të pa parashikuara e  duke lënë gjithëmonë hapësirën për penallti, pra ku Ministria obligohet të paguaj dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer. Dhe ndërkohë në teren përballemi me një gjendje jo të mirë të rrugëve për shkak të punimeve të ndërprera. Në mënyrë që ti përfundojmë këto kontrata kemi nënshkruar aneks kontratat për punë shtesë, të gjitha sipas legjislacionit në fuqi dhe në përpikëshmëri me të.”, thuhet më tej në reagim.

Më tutje, MI-ja me e-mail zyrtar vazhdon akuzat ndaj PDK-së duke thënë se “nuk lanë gjë pa bërë duke abuzuar me pushtetin”.

“Shtrohet pyetja se kush janë këta që po akuzojnë e që po shpifin? PDK, që nuk ka lënë gjë pa bërë duke abuzuar me pushtetin. Vetëm një dëshmi po u’a jap që e tregon se si qeverisim ne me vendin tonë dhe se sa kujdesemi për paranë publike. Mirëmbajtja verore e dimërore për rrugët regjionale e nacionale qeverisjeve të kaluara ju ka kushtuar 19 milion euro në vit. Kurse në qeverisjen tonë për një vit për rrugët e njejta vetēm 9 milion euro. Edhe më lirë e natyrisht edhe më mirë. Kjo parti është në hall me xhepin e saj që e kishte të lidhur me buxhetin e shtetit. Qeverisja e keqpërdorimit të buxhetit të shtetit ka marrë fund dhe nuk kthehet më. Natyrisht që për të gjitha këto shpifje ne do të ngrisim padi në organet e drejtësisë”, vazhdon reagimi. /Lajmi.net/

Shikoni e-mailin: