Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hamas

Armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në fuqi të dielën. Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar. Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në…

Bota

19/01/2025 11:12

Armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në fuqi të dielën.

Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar.

Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës.

Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

Izraeli tha po ashtu para nisjes së armëpushimit se do të vazhdonte luftimet derisa nuk do të publikohej lista me emrat e pengjeve. Më vonë, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një sërë caqesh të Hamasit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

Me lirimin e tri pengjeve të para pritet të lirohen edhe dhjetëra palestinezë të burgosur në Izrael.

Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit. /REL