Hykmete Bajrami: Vetëvendosje është tjetërsuar krejtësisht

Deputetja e LDK-së, njëherit ish-ministre e Financave në qeverinë Hoti, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi që sot deputetët e VV-së bashkë me ata të Listës Serbe votuan pro ndarjes së 11 milionë eurove për  rrrymën në veri.

Lajme

06/05/2021 18:44

Me anë të një postimi në Facebook,  ajo ka thënë se KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës, dhe rrjedhimisht, janë paratë e taksapaguesve kosovarë, shkruan lajmi.net.

“Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it”, ka shkruar ajo.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë”, ka shkruar tutje ajo.

Postimi i plotë:

Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuciqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 MILIONË euro (11 000 000 €) për rrymën në veri

Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore.

Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim.

Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës – buxheti i KOSTT-it është buxheti i shtetit. KOSTT është ndërmarrje publike.

Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it.

Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë. /Lajmi.net/